Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama mbajti këtë të martë një takim me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, takim i cili u bë në një nga lokalet e kryeqytetit shqiptar.
Ajo se çfarë është diskutuar në takimin mes liderëve të dy shteteve, nuk është bërë zyrtare nga zyrat e shtypit pranë kryeministrisë dhe Presidencës së Kosovës, por vlen për tu theksuar se zhvillimet e fundit në dy vendet fqinje, lënë vend për të thënë se mes tyre ka pasur shumë për të folur. Takimi në lokal ka zgjatur më shumë se 60 minuta, shkruan Express.
Të shtunën e kaluar, qytetarë nga Kukësi, gjithë Shqipëria, dhe Kosova, protestuan pranë Tunelit të Kalimashit, kundër një takse të dyfishtë që qeveria e Edi Rama vendosi për kalimin në Rrugën e Kombit. Taksë e cila po has kundërshti për shkak të vlerës së saj të lartë dhe të papërballueshme për xhepat e shqiptarëve, nga 5 deri në 44 euro. 23 kuksianë janë arrestuar për dhunën që përshkallëzoi në protestë, dhe që çoi deri në djegien e sporteleve të ngritura nga koncensionari për të bërë pagesën e tarifës. Edhe ky vendim i Policisë Shqiptare u prit me protesta para drejtorisë së Policisë së Tiranës ku mbahen të arrestuarit, e shpërndarë në disa komisariate në kryeqytet.
Dy ditë më parë në një konferencë për mediat, kryeministri Rama tha se nuk kishte arsye që vendimin për taksën në Rrugën e Kombit, ta konsultonte me qeverinë e Kosovës.
Zyrtarë të shtetit shqiptarë por edhe përfaqësues të qeverisë së Kosovës kanë deklaruar më herët se nuk kanë qenë në dijeni paraprake të vendosjes së kësaj takse.
Ndërkohë, protestuesit Rama i quajti vandalë, të nxitur nga opozita shqiptare në Tiranë për të shkaktuar dhunë. Mes tyre kishte edhe shumë shtetas të Kosovës, të cilët veçse për turizëm, prekin kufirin shqiptar edhe për tregti. Ata e kundërshtojnë këtë taksë të lartë. Por a ishin edhe ata vandalë, siç shefi i mazhorancës shqiptare u shpreh?!