Pohimet e presidentit të Kosovës Thaçi në intervistën me DW për mundësinë e aneksimit të veriut nga Serbia, kanë shkaktuar reagime të shumta. Në Beograd flitet edhe për influencën ruse.
Deklarata e preisdentit Thaçi në intervistën me Deutsche Wellen, se “Serbia po armatosë serbët në veri të Kosovës” ka ngritur tensionet në Beograd. Presidenti tha se “Serbia po përgatitë në veri të Kosovës një skenar të ngjashëm me ate të Krimesë dhe se në veri janë futur persona të armatosur civilë dhe të uniformuar”. Autoritetet serbe ende nuk kanë reaguar ndaj pohimeve se “Serbia po përpiqet të provokojë konflitke të armatosura, me qëllim që me ndihmën e Rusisë të ndajë veriun e Kosovës”.
Propaganda e Thaçit
“Mendoj se këto deklarata mund të intepretohen si përpjekje e Hashim Thaçit që të vendosë një lloj balanci të forcave”, thotë për DW analisti Aleksandar Radiq. “Qëllimi është që të dëshmohet se në veri askush nuk është i pafajshëm, sepse atje ka ndërhyrë ROSU dhe ka persona serbë të armatosur, sipas motos: policia e Kosovës ka ndërhyrë por atje ka dhe forca serbe të armatosura. Ndaj këtë deklaratë mund ta komentoj vetëm si propagandë të Thaçit”.
“Kur flitet për ndarjen e Kosovës, atëherë duhet të kujtojmë të gjitha zhvillimet e viteve 90-të në hapsirat e ish-Jugosllavisë”, pohon Aleksandar Radiq. “Nëse flasim për gjendjen në Kosovë, mendoj se nuk është e mundur që me dhunë të vendoset ndonjë akt i kryer. Një gjë të tillë mund të ndodhë vetëm nëse arrihet ndonjë marrëveshje sekrete mes Beogradit dhe Prishtinës. Nuk mendoj se ka ndonjë rrugë tjetër për realizimin e kësaj ideje”.
Përhapja e frikës nga lufta
“E qartë është që Hashim Thaçi po përpiqet të krijojë një krizë të sigurisë, e cila mund të konsiderohet edhe si preventivë”, thotë për Deutsche Wellen, Dushan Janjiq, koordinator i Forumit për Raporte Etnike në Beograd. “Të pohosh se dikush po e armatosë dike duhet të kesh të dhëna nga burimet informative, ose të paktën të dhëna nga vëzhguesit e pavarur – në këtë rast KFOR dhe NATO. Duket qartë që Thaçi po përpiqet të shfrytëzojë situatën me trenin dhe dërgimin e njësisë speciale në veri, që të zgjojë vëmendjen në radhë të parë të NATO-s, për ta forcuar pozitën e tij. E gjitha kjo dëshmon se në Ballkan po flitet gjithnjë e më shumë me gjuhën e luftës dhe se politikat janë futur në krizë. Politikanët nuk kanë më se çfarë të ofrojnë në planin e brendshëm dhe tani po përpiqen të përhapin frikë përmes kërcënimeve me luftë”.
Akuzat e Hashim Thaçit se Serbia po përpiqet që çështjen e veriut ta zgjidhë sipas modelit të Krimesë, e kanë aktualizuar në Beograd edhe debatin për rolin e Rusisë në Ballkan. Aleksandar Radiq thotë se në Ballkan “është krijuar një front i vendeve të cilat po e ndërlidhin Serbinë në mënyrë artificiale me Rusinë”.
„Bëhet fjalë për pohime të paqena politike, por gjithmonë është në favor të tyre kur e vënë Serbinë në lidhje me Rusinë, sepse kjo lidhje menjëherë e diskrediton Serbinë në sytë e Perëndimit – si një kundërshtar potencial dhe një aleat të Rusisë”. Dushan Janjiq thotë se pohimet e disa mediave serbe “për ekzistencën e një plani rus në Ballan, e më pas se Donald Tramp do t’i lejojë Serbisë që me ushtri të kthehet në Kosovë, janë vetëm lojë propaganduese ndaj të cilave nuk ka reaguar askush. Ndërkohë që këto pohime kurrë nuk kanë sjellur diçka pozitive. Ndaj duhet ushtruar presion ndërkombëtar për sqarimin e pozicioneve dhe uljen e tensionëeve në lidhje me Kosovën”.
Lufta për kontrollin e kufirit
Si përgjigje ndaj pohimeve të Hashim Thaçit, në mediat serbe është spekuluar për mundësinë e një lufte të shpejtë në Kosovë dhe për planet për spastrimeve etnike të rreth 50.000 serbëve nga veriu i Kosovës. Dushan Janjiq pohon se nuk e ka të qartë se çfarë do të fitonte Kosova me një aksion të këtillë, sepse Kosova e ka sovranitetin e plotë dhe prezenca e Kosovës në kufi ëshë e qartë. “Këtu qëndron problemi, sepse në këtë mënyrë krijohen kushtet për demarkacionin e kufirit me Serbinë, që Beogradi nuk e do në këtë moment. Beogradit thjesht nuk i përgjigjet, në veçanti para zgjedhjeve, që Kosova të tregojë se e ka kontrollin e plotë ushtarak të kufirit”.
Përdorimi i deklaratave të Thaçit
Deklaratat e Hashim Thaçit në mënyrë automatike përdoren për qëllime të brendshme politike në Serbi. Mendohet se retorika parazgjedhore do të qetësohet pas zgjedhjeve. Por Radiq paralajmëron se “kohët e fundit po flitet gjithnjë e më shpesh dhe më hapur për përdorimin e dhunës për zgjidhjen e problemeve politike. Për fat të keq mendoj se në fund vërtetë mund të vije deri tek përdorimi i dhunës”.
Dushan Janjiq thotë se fjala është për vende të cilat nuk kanë një ardhmëri dhe më e keqja është që për këto vende vendosin edhe të tjerët. Këtu kanë interesat e tyre edhe Turqia, Rusia, Amerika dhe Bashkimi Evropian. E gjitha kjo ka komplikuar gjendjet dhe në këtë moment vështirë mund të parashikohen zhvillimet”./RTK/ (E.K/SHUPLAKA)