Gjatë vizitës së tij të parë zyrtare si president në Turqi, Hashim Thaçi foli mbi cështjen e terrorizmit dhe mekanizmat e sigurisë së dy vendeve të cilët sipas tij kanë një bashkëpunim të shkëlqyer.
“Prandaj, çdokush që është terrorist në Turqi, është terrorist edhe në Kosovë”, deklaroi presidenti.
Ndër të tjera, Thaçi u shpreh se Kosova është mirënjohëse që Turqia ka qenë ndër vendet e para që ka njohur Kosovën, që në ditën kur Kosova ka shpallur pavarësinë, si dhe për përkrahjen e vazhdueshme për sigurimin e njohjeve të reja dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Ndërsa kryetari i Parlamentit të Turqisë, Ismail Kahraman, u shpreh se Turqia është dhe do të mbetet mike e Kosovës dhe shtoi se dy vendet duhet të rrisin bashkëpunimin.
Ndërkaq, kryeministri Binali Yıldırım në takimin me Thaçin, tha se Turqia do të vazhdojë të promovojë Kosovën në botë dhe e siguroi presidentin kosovar se do të punojë në drejtim të thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Do të vazhdojmë të kërkojmë njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare”, ishin fjalët e tij.
Në fund të vizitës, Thaçi vendosi lule në pjesën e parlamentit të goditur nga predhat në tentativën për grusht shteti në korrik të këtij viti. (D.D/Shuplaka)