Ditën e sotme në Vatikan presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi do të takojë Papa Françeskun.
Siç njofton Presidenca, në këtë takim presidenti Thaçi do të falënderojë Atin e Shenjtë për mbështetjen që Vatikani i ka dhënë popullit të Kosovës në periudha të ndryshme dhe rolin e tij në promovimin e paqes në botë.
Mes të tjerash bëhet e ditur se Thaçi do të informojë Atin e Shenjtë për proceset politike në vend, pas krijimit të institucioneve të reja, për reformat e gjithëmbarshme në sektorin e ekonomisë, arsimit dhe avancimin e drejtave të njeriut dhe komuniteteve.
Njoftohet më tej se i Thaçi po ashtu do të bisedojë me Papa Françeskun për krijimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtim dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që synon përmbylljen e konfliktit shekullor dhe pajtimin ndërmjet dy shteteve dhe popujve.
Pas përfundimit të takimit këtu Thaçi do të udhëtojë për në Amerikë, ku do të pritet në Shtëpinë e Bardhë nga zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Michael Pence. (J.V/Shuplaka)