Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se partia e tij do t’i përgjigjet presidentit Thaçi në “një moment të përshtatshëm, në këtë kohë virusi”.
Pesidenti I Kosovës, Hashim Thaçi, pas konsultimeve që ka pasur më liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, të enjten i ka kërkuar Lëvizjes Vetëvendosje, që të propozojë një kandidat për formimin e Qeverisë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se presidenti ka vendosur të anashkalojë nenin 82.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili i referohet situatës pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë.
“Ajo që ishte e nevojshme por nuk u bë, përbën shkelje. Presidenti ka vendosur të anashkalojë nenin 82.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili i referohet situatës pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë. Presidenti po sillet thua se Qeveria varet nga Kuvendi por ky s’varet nga populli, thua se zgjedhjet demokratike janë mjet por jo edhe vlerë.
Ajo që ishte e panevojshme por u bë, po ashtu përbën shkelje. Presidenti takoi gjitha partitë parlamentare politike, dhe, më pas kërkoi nga subjekti ynë fitues i zgjedhjeve të propozojë kandidatin për Kryeministër. Pra, Presidenti nuk është neutral, ai ka interes politik dhe synim personal, gjersa duhej t’ishte i paanshëm e procedural. Disi don të besojë se 25 marsi 2020 ka ndodhur pa 3 shkurtin 2020! Sidoqoftë, ne do t’i përgjigjemi, në një moment të përshtatshëm, në këtë kohë virusi.”, ka shkruar Kurti.
Pas takimeve që ka pasur me liderët e partive politike në vend, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë vendim për formimin e një qeverie të re, pa shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Për ta bërë këtë, sot gjatë ditës ai ia ka nisur dy letra shefit të Qeverisë në detyrë e kreut të LVV-së, Albin Kurti.
Thaçi ka kërkuar nga Kurti që të propozojë një kandidat të ri që mund të mandatohet për kryeministër në Kuvend të Kosovës, derisa, tutje, e njofton kreun e LVV-së se do të veprojë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës për formimin e qeverisë.