Detaje të reja mësohen nga atentati që iu bë prokurorit Arian Ndoja të premten e kaluar në Shkozet të Durrësit, ku ai mbeti i plagosur së bashku me Landi Muharremin dhe shoferin e tij Andi Maloku.
Burime brenda Policisë së Shtetit, bëjnë me dije për Faxweb.al se në mjetin e prokurorit janë gjetur disa thasë me dokumente, mes tyre edhe dosja e vjedhur nga kasaforta e Prokurorisë së Durrësit disa kohë me pare, si edhe dosja e gjykatësit të vrarë disa vite me pare, Skerdilajd Konomi.
Nuk dihet sesi prokurori, edhe pse i vendosur në sulme të vazhdueshme nga ana e qeverisë Rama, të mbante në makinën e tij fakte kaq kompromentuese, apo ndaj tij është organizuar një kurth i mirëmenduar.
Janë shumë rastësi që janë të çuditshme: Rumi në makinën e Ndojës, thasë me dokumente të vjedhura në makinën e tij, pikërisht në të njëjtën ditë me atentatin, dhe ca më tepër i dyshuar kryesor për ngjarjen të jetë i afërmi i deputetit socialist Rrahman Rraja.
Kujtojmë se në maj të vitit 2018 në Prokurorinë e Durrësit ndodhi një grabitje e dokumentave nga persona të paidentifikuar të cilët kishin arritur të dëmtonin edhe serverin. Në atë kohë u dha se asnjë dokument nuk kishte humbur sepse ishte i dubluar.
Dokumentat e tjera që pretendon policia që janë gjetur në makinën e Ndojës lidhen me ish gjyqtarin e Vlorës Skerdilajd Konomi, i cili u ekzekutua me një bombë në vitin 2011. Makina e tij shpërtheu nga një eksploziv i telekomanduar, ndërsa gjyqtari ishte në timon në bulevardin Vlorë-Skelë.
Një nga pistat kryesore të vrasjes së Konomit, mbetet çështja e pronave që paraardhësit e 33-vjeçarit zotëronin në Hamallaj të Durrësit.
(E.K/Faxweb.al)