Ideja e Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit për shkëmbim të territoreve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë si zgjidhje përfundimtare e dialogut ndërmjet dy shteteve, është kundërshtuar me të madhe nga diplomat e liderë të ndryshëm botëror, përfshirë këtu kancelaren gjermane, Angela Merkel.
Ndërkohë edhe prestigjozja “The Economist”, shkruan se një ide e tillë mund të nxisë konflikte politike brenda Kosovës.
Sipas “The Economist”, nëse Kosova dhe Serbia do të kufizojnë kufijtë e tyre në linja etnike, atëherë një gjë e tillë do shkaktonte ndryshime të mëdha dhe do ta destabilizonte gjithë Ballkanin.
Në këtë shkrim thuhet së implementimi i një ideje të tillë, mund të nxiste edhe vendet tjera të rajonit për ndryshime të kufijve.
“Kur Jugosllavia, Bashkimi Sovjetik dhe Çekosllovakia u shpërbënë në vitet 1990, shtetet pasardhësve të tyre dolën brenda kufijve ekzistues. Por nëse Kosova dhe Serbia riorganizojnë kufijtë e tyre në linja etnike, kjo do të ishte një ndryshim i madh dhe ndoshta destabilizues për rajonin. Kjo do të thoshte, për shembull, që lideri serb i Bosnjës mund të ngrinte kërkesat e tij për pavarësi duke argumentuar se kufijtë e vjetër të Jugosllavisë tashmë ishin shkelur dhe kështu Bosnja mund të ndahet. Kjo do të rrezikonte një luftë të re”, shkruan prestigjiozja “The Economist”.
Por edhe përkundër gjithë këtyre paralajmërimeve dhe kundërshtimeve presidenti Thaçi vazhdon që ta promovojë këtë ide, duke thënë se korrigjimi i kufijve do t’i hapte rrugë Kosovës për integrim në OKB, dhe do t’i mundësonte bashkimin e Luginës së Preshevës.
Për implementimin e kësaj ideje Thaçin nuk e ka mbështetur asnjë forcë politike në vend, të cilat kanë paralajmëruar protesta e rezoluta kundër një gjëje të tillë.
Kujtojmë se takimi i fundit ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit në Bruksel ku ishte planifikuar të flitej rreth kësaj ideje ka dështuar.
Opozita kosovare ka thënë se takimi ka dështuar për shkak te presioneve të shumta që janë bërë ndaj Thaçit, kundër idesë së prekjes së kufijve.