Numri I viktimave si pasojë e pandemisë së koronavirusit vijon të shënojë rritje në Itali ku deri më tani raportohet për të paktën 366 persona që kanë humbur jetën.
Ndërkohë numri i personave që janë infektuar është 6387 nga të cilët 650 persona ndodhen në terapi intensive.
Nga ana tjetër deri më tani janë shëruar plotësisht nga virusi vdekjeprurës, mbi 600 persona ndërsa vendi po përballet me masa ekstreme që janë marrë nga autoritetet, duke filluar nga mbyllja e shkollave, aeroporteve, kinameve, qendrave sportive e publike etj.
Italia vazhdon të mbetet një ndër vendet më të prekura nga koronavirusi. Masat e marra nga ky vend po prekin kulmin duke e detyruar të shkojë drejt një vetëizolimi të plotë.
Qeveria Italiane vendosi në karantinë gjithë rajonin verior të Lombardisë, zemrën e ekonomisë italiane, ku përhapja është më e larta në gjithë vendin.
Italia merr masa drastike kundër koronavirusit, teksa përhapja po vijon me ritme të shpejta.
Në karantinë janë edhe 14 zona të tjera në veri mes të cilave Venecia, Padova, Rimini, Parma, etj. Në zonat e karantinës banojnë 16 milionë njerëz.
Italia, me numrin më të lartë të viktimave pas Kinës, është vendi i dytë në botë që ndërmerr masa ekstreme kundër përhapjes së koronavirusit.
Kryeministri italian Giuseppe conte urdhëroi ndalimin e hyrje – daljeve të njerëzve nga zonat e karantinës. Masa ekstreme ka detyruar mijëra qytetarë të marrin valixhet për të ikur nga Milano.
Ndërkohë që mbrëmë u bë me dije se shumë vende ku ka masivitet njerëzish të evitohen medoemos.
Jo vetëm veriu por i gjithë vendi përfshihet nga disa prej masave të reja drastike, ku përveç mbylljes së shkollave, qeveria urdhëroi edhe kyçjen e palestrave, muzeve, klubeve të natës dhe shumë aktiviteteve të tjera publike.
Restorantet dhe baret do të qëndrojnë të hapura nga 6 e mëngjesit deri më 18.00 në darkë. Klientët duhet të qëndrojnë deri në 1 metër larg njëri-tjetrit. Janë ndaluar po ashtu edhe ceremonitë e dasmave dhe varrimet.
Këto masa do të qëndrojnë në fuqi të paktën deri më 3 prill thuhet në vendimet e fundit në kuadër të masave të marra ndaj koronavirusit.