Thellohet skandali me dy vëllezërit indianë të kërkuar në të gjithë botën për pastrim parash në vlerën 725 mln dollarë të cilët jo vetëm që gjetën strehë në Shqipëri, por u bënë ndërtues dhe morën nënshtetësinë shqiptare nga Presidenti Ilir Meta.
Konkretisht, dy vëllezërit Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara, të cilët arritën të krijonin kompanitë e ndërtimit “Tulja Real Estate” dhe “Laxmi Real Estate&Investment” figurojnë ortakë edhe në resortin “DRYMADES DREAM” që po ndërtohet në Dhërmi me administrator biznesmenin, Julian MORINA (Lul Morina), një emër shumë i njohur në fushën e hoteleri-turizmit por edhe në botën e futbollit.
Julian Morina i ka shitur 50% të aksioneve kompanisë “LAXMI REALE ESTATE & INVESTMENT” , pra kompanisë që zotërohet nga dy vëllezërve indianë, Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara.
Ende është e paqartë se çfarë e lidh Julian Morinën me dy vëllezërit mashtrues të kërkuar në të gjithë botën për pastrim parash dhe për të cilët Gjykata e New Delhit ka kërkuar eksstradimin.
MË SHUMË për vëllezërit SANDESARA dhe ortakëria me LUL MORINËN:
Dy vëllezërit Sandesara kanë qenë pronarët e kompanisë farmaceutike Sterling Biotech. Përgjatë viteve 2008-2011 ata kanë marrë mbi 725 milionë dollarë kredi nga disa banka shtetërore të Indisë, para të cilat nuk kanë shkuar në llogarinë e sterling, por janë zhdukur përmes një rrjeti prej 300 kompanish offshore të ngritura nga vetë ata.
Vëllezërit Sandesara, mesa duket kanë gjetur terrenin dhe lidhjet e duhura në Shqipëri për të vazhduar skemën e tyre duke u kthyer në ndërtues pallatesh.
Kështu, sapo erdhën në Shqipëri në fundvitin e 2017-ës, Nitin dhe Chetankumar Sandesara ngritën dy kompani ndërtimi, “Tulja Real Estate” dhe “Laxmi Real Estate” të cilat i kanë regjistruar edhe në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).
Pas kësaj, ata u bënë ortakë në resortin super-luksoz ‘DRYMADES DREAM’ me Lul Morinën.
Ndërkaq, askush nga autoritetet shqiptare nuk ka dhënë asnjë shpjegim për këtë megaskandal që e kthen Shqipërinë në vendin e sigurtë të fshehjes, mashtrimit e pastrimit të parave.
Discussion about this post