E enjtja e fundit e majit kthen në parlament deputetët. Pas javësh “pushim” për shkak të zgjedhjeve, disa prej socialistëve e demokratëve kthehen si fitues e disa të tjerë si humbës.
Deri në korrik-un e mbylljes së legjislaturës së X, një ndër çështjet që parashikon kalendari zyrtar është raportimi vjetor i institucioneve të pavaruara përfshirë edhe të drejtësisë.
Para se deputetët të kthehen në kuvend, kryeparlamentarja Elisa Spiropali ka thirrur konferëncën e kryetarëve. Dy çështjet në diskutim janë projektprogrami për javët e mbetura të parlamentit dhe ecuria e zbatimit të planit të veprimit të kuvendit për zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian për periudhën janar-mars 2025.
Edhe pse rendi i ditës nuk përmban asnjë diskutim të rëndësishëm, është e pritshme që opozita të shfrytëzojë foltoren për të të bërë denoncimet e saj për rezultatin që prodhoi gara e 11 majit dhe për të cilën ajo pretendon se ishtë një farsë elektorale.
Pas 4 muajsh, në shtator, depuetët nga të dyja kampet do t’i lenë vendin emrave të rinj. Zgjedhjet e 11 majit lanë jashtë parlamentit shumë deputetë të karrierës dhe kryesisht nga Partia Socialiste. Për grupin parlamentar të Partisë Demokratike ndryshimet janë më të pakta në emra por jo në numra.