Dinora Neçi, nënë e një vajze ka shkruar për redaksinë e JOQ ALBANIA ku i bën thirrje strukturave të shtetit shqiptar për rikthimin e vogëlushes pranë saj. Dinora shprehet se kërkon ndihmën e shtetit pasi vajza e saj mbahet peng në shtetin e Qipros nga babai i saj biologjik.
Pas një jetese në Qipro, ajo tregon se kurrë nuk ka qënë e martuar me babain e vajzës, dhe se gjithmonë është trajtuar keq nga ky i fundit, deri në pikën që i ka kërkuar dhe abortin. Pas shumë sakrificave Dinora e lindi vajzën por që prej katër vitesh ajo nuk është me të, pasi babai e ka mbajtur atë në Qipro, dhe Dorina nuk bën dot asgjë për ta marrë pa ndihmën e shtetit.
Dinora shprehet se në atë shtet ndaj saj dhe vajzës janë bërë tortura nga më të ndryshmet si nga babai po ashtu edhe nga vetë shteti. Ajo lutet që mos të lejojmë heshtjen të mbizotërojë në mbajtjen peng të fëmijës shqiptar në atë tokë ku u përpoqën ta vrisnin që në bark të nënës. Pastaj e keqtrajtuar, e sëmurën dhe i dhanë terapi të gabuar.
Letra e plotë e Dinorës drejtuar shtetit:
Letër e hapur drejtuar Presidentit të Republikës së Shqipërisë z.Ilir Meta, Kryeministrit z.Edi Rama, Ministrit të Jashtëm z.Gentian Cakaj, Ministres së Drejtësisë znj.Etilda Gjonaj, Ministrit të Brendshëm z. Sandër Lleshaj me anë të së cilës kërkoj ndërhyrjen Tuaj urgjente në kthimin sa më shpejt të vajzës sime të mitur Eleftheria Eleftheriou shtetase shqiptare e cila mbahet prej 4 vitesh e sekuestruar në Qipro(greke).
I nderuar zoti President, i nderuar zoti Kryeministër dhe të nderuar zotërinj Ministra të Vendit tim!
Unë Dinora Neçi shtetase shqiptare jam nëna e mbijetuar nga një komplot ndërkombëtar i mirëorganizuar dhe mirëstrukturuar nga i cili u realizua rrëmbimi i vajzës sime të mitur Eleftheria Eleftheriou e lindur në 26 tetor 2011 në Strovolos-Nicosia në Qipro(pjesa greke), shtetase shqiptare me Pasaportë nr. BB8530785 dhe me Numër Personal L16026075N e cila, që nga lindja e saj është nën kujdestarinë time eskluzive dhe banore e përhershme në Shqipëri pranë familjes time prindërore.
Po nga ky komplot u realizua edhe mbajtja ime peng për shtatë muaj nëpër burgjet e Gjermanisë dhe Qipros, që sheh si aktorë funksionarë dhe nënpunës publik të pesë shteteve: Qipro, Belgjikë, Itali, Gjermani dhe funksionarë të policisë së aeroportit të Athinës…. si dhe me mbështetjen e fuqishme të nënpunësve dhe funksionarëve të atëhershëm të Institucionit të Presidentit, të Ministrisë së Drejtësisë, të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të Zyrës së Avokatit të Popullit, të Prokurorive Berat, Tiranë dhe të Prokurorisë së Përgjithshme, të Gjykatës së rrethit Berat, të avokatëve dhe të funksionarëve të Policisë së Shtetit Shqiptar, që ende sot nuk e di se cili është interesi në përbindëshin grek qipriot NIKOLAS ELEFTHERIOU të cilin besoja se ishte “bashkëshorti im” dhe që për fat të keq është babai biologjik i vajzës të cilën e mban peng prej 4 vitesh në atë tokë qipriote pa asnjë kontakt me mua, nënën.
Pas rrëmbimit të fëmijës tim unë isha afër vdekjes, nën dhunë, tortura dhe trajtime çnjerëzore dhe nëse nuk do të kisha heshtur gjatë pengmarrjes time nuk do të isha këtu të shkruaja këtë ODISE KANGRENË të sintetizuar, e cila u gjenerua sepse kemi qënë të braktisura nga ata të cilët duhej të vepronin në mbrojtjen dhe sigurinë e një nënë dhe foshnjes së saj.
Origjina e kësaj odisee është një martesë civile mashtruese e kryer nē Qipro, në tre ditë (14/05/2010 – 17/05/2010) përmes një vize turistike qipriote 22 ditore dhe akteve mashtruese administrative të lëshuara nga funksionarë dhe nënpunës publikë qipriotë në bashkëpunim me babanë biologjik dhe familjarët e tij, e konsumuar pa dijeninë time sepse nuk dija as gjuhën greke as atë angleze (gjuhët zyrtare në Qipro) dhe as proçedurën e martesës dhe mirëbesova se isha e martuar ligjërisht me Nikolas Eleftheriou. Deri më sot as unë dhe as familjarët e mi nuk kemi arritur të gjejmë një përgjigje se për çfarë qëllimi e kryen këtë martesë, të cilën e zbuluam katër vjet më vonë që në realitet nuk ka ekzistuar kurrë. Një besim i verbër në personin që besoja se ishte bashkëshorti im dhe ndaj familjarëve të tij me të cilët bashkëjetonim dhe mbi të gjitha kurrë nuk e imagjinoja se autoritetet qipriote do të kishin kryer një mashtrim të tillë të jashtëzakonshëm kundër një qytetareje shqiptare e respektueshme ndaj ligjit dhe besimplotë tek institucionet qipriote. Dhe në fakt, janë gazetat më prestigjioze qipriote që prej vitesh përcjellin artikuj të ndryshëm mbi karcinomën e martesave mashtruese civile në Qipro, ku unë rashë viktimë.
MBIJETOVA për vajzën time të cilën e mbrojta nga tentativa e abortit përmes rezultateve mashtruese të analizave të gjakut (rutinë të shtatzanisë) të prodhuara nga babai i saj biologjik në bashkëpunim me familjarët e tij dhe me një gjinekologe ruse me zyrë në qytetin Nikosia(Qipro).
E solla në jetë dhe e rrita me gjithë dashurinë dhe forcën e një nënë të devotshme. E mbrojta me dhëmbë dhe me thonj krijesën time. Për 4 vite të gjata dhe të stërvuajtura në atë tokë qipriote, ku nën statusin e rremë « e martuar » dhe të një “leje qëndrimi të përkohshme qipriote si TURISTE-VIZITORE – dy vjecare” unë dhe ime bijë u mbajtëm peng, të sekuestruara nga viti 2010 deri në 2014, nën trajtime çnjerëzore jo vetëm kundër personit tim, por mbi të gjitha kundër jetës dhe shëndetit të vajzës time, nga funksionarët dhe nënpunësit e Autoriteteve Lokale, Gjyqësore, Qeveritare dhe Administrative qipriote.
Qëllimi i vetëm i atij që unë e besoja si bashkëshortin tim, ishte për të më rrëmbyer fëmijën me çfarëdo lloj mënyre dhe strategji kriminale. Meqënëse nuk arriti të realizonte abortin, bëri regjistrimin i vajzës së sapolindur me mbiemrin e tij « Eleftheriou » kur martesa është joekzistente, regjistrim i kryer pa praninë, pa dijeninë dhe pa autorizimin tim në bashkëpunim me stafin mjekësor të Repartit të Gjinekologjisë së Spitalit të Përgjithshëm Makariou në Nikosia dhe me nënpunësit e Zyrës së Regjistrimit Civil në Larnaka.
Një shtet i tërë qipriot po mbante peng një nënë dhe një foshnje shqiptare. Nga funksionarë të caktuar të gjykatave qipriote dhe nga avokatë qipriotë më komunikoheshin një mori dokumentesh eskluzivisht në gjuhën greke. Këta persona, duke përfituar që nuk njihja gjuhën dhe faktin që asnjë avokat qipriot nuk mori përsipër të shpëtonte një nënë shqiptare dhe fëmijën e saj të mitur, këto dokumente për të cilat nuk mund të përdor dot fjalët “absolutisht të paligjshme/të pavlefshme” pasi janë AKTE ABSURDE, ata i konsideronin si “vendime gjyqësore” siç është “vendim divorci” pa titullin “vendim”, me një përmbajtje prej katër rreshta, kur martesa është jo-egzistuese ndaj meje dhe babait biologjik të vajzës. Prandaj nuk m’u dha asnjëherë e drejta për të pasur një avokat, as përkthyes, asnjëherë nuk është bërë asnjë seancë gjyqësore etj. Me të njëjtën mënyrë mohuan pensionin ushqimor të vajzës. Nënpunës të administratës qipriote mohuan të drejtat e bonus të kompensimit dhe të bonus si prind i vetëm, deri madje edhe ndihmën ekonomike për vajzën.
Lutjeve të shumta me shkrim që kam bërë zyrtarëve të Autoriteteve Qeveritare dhe Konsullore Shqiptare në ato kohë, pasoi vetëm një heshtje e frikshme e cila i hapi rrugën padrejtësive dhe keqtrajtimeve të mëtejshme, madje duke arritur deri aty saqë funksionarë të drejtësisë qipriote u ndien aq “fuqiplotë” sa të na mbyllnin me forcë dhe dhunë nënë dhe foshnje të vogël shqiptare (të sëmurë me pneumoni) në qelitë e gjykatave qipriote me qëllim rrëmbimin e saj.
Subjekti në fjalë (babai biologjik) i studionte mirë keqtrajtimet e tij para se ti vinte në veprim. Arriti që, në fund-dhjetorin e acartë të 2012 të ndërpresi furnizimin me energji elektrike të shtëpisë ku jetonim si “pengje” përmes një njoftimi mashtrues duke i shkaktuar vajzës 14 muajshe pneumoni dhe nuk e di se përse nga pediatrët qipriotë iu dha terapi e gabuar si astmatike duke çuar në përkeqësimin e shëndetit të saj.
Megjithëse arritëm të largoheshim nga ferri qipriot në 15 Mars 2014 – nga ai vend ku nuk na u dhanë asnjëherë të drejtat e mia si nënë dhe të drejtat e fëmijës por mizorisht na mohuan edhe lirinë; ku nuk munda kurrë të denoncoja autorët e pengmarrjes tonë dhe për gjithcka bëhej kundër nesh; nga ajo shtëpi në rrugën Agious Saranta nr. 5, 7520, në Ksilofagou (Larnaka)ku na mbanin peng pa ujë pa drita dhe pa asnjë mundësi ekonomike për t’u ushqyer dhe per të kuruar vajzën por mbijetuam nga ndihma e familjarëve të mi dhe fqinjëve – struktura kriminale e Nikolas Eleftheriou i shtriu tentakulat e veta kudo ku u drejtuam në Europë për të kërkuar ndihmë dhe mbrojtje ndërkombëtare.
Një funksionar i lartë i Policisë së Shtetit Shqiptar atëherë në detyrë, në dijeni të gjitha fakteve të ndodhura në Qipro u shpreh se nuk mund të bënte asgjë për të shpëtuar mua dhe vajzën. Prandaj, në këto kushte së bashku me vajzën iu drejtova autoriteteve të drejtësisë belge ku kërkova azil politik por nuk u mor asnjë veprim mbrojtës ndaj meje dhe fëmijës. Përkundarzi, funksionarë të caktuar të autoriteteve në fjalë më kërcënonin verbalisht se nëse nuk pranoja të kthehesha me vajzën me vullnetin tim të lirë në Qipro do na burgosnin dhe do na kthenin atje me forcë.
E terrorizuar bashkë me time bijë ikëm edhe nga Belgjika dhe iu drejtuam Italisë. Fatkeqësisht edhe këtu nuk u mor në konsideratë kërkesa ime për mbrojtje nderkombëtare nga autoritetet italiane.
Filluan të na përndiqnin. U egërsuan qenërisht mbi dy qenie të pafajshme dhe të pambrojtura shqiptare duke bashkëpunuar me qipriotët në favor të babait biologjik që vazhdimisht na torturonte dhe u përpoq disa herë të na vriste. Në korrik të 2014 funksionarë italianë në prani të vajzës dhe familjarëve të mi, më burgosën nën akuzë të rreme si « rrëmbyese » e fëmijës tim, pa asnjë mandat arresti apo urdhër gjyqësor, pa avokat, pa praninë e një nënpunësi të shërbimit social, pa psikolog apo tutor legal për fëmijën. Kjo ngjarje la pasoja të rënda tek vajza ime duke e përjetuar shumë keq, duke mos ngrënë, duke u shtrirë përtokë me të qara dhe ulërima madje shpesh zgjohej e trembur edhe natën. Asnjë seancë gjyqësore ndaj personit tim. Megjithëse më lanë të lirë pas 33 orësh përndjekjet e tyre vazhduan.
Të frikësuara, u kthyem sërisht në Shqipëri me shpresën se autoritetet e vendit tonë kësaj radhe do na mbronin. Por jo! Sic e thashë edhe më lartë filluan edhe këtu përndjekjet dhe kërcënimet nga funksionarë dhe nënpunës shqiptarë të asaj kohe duke më deklaruar me gojë shpesh edhe në prezencë të vajzës së mitur madje edhe përmes aktesh nga Zyra e Avokatit të Popullit dhe nga Zyra Qendrore Interpol Tirana që vinin në adresë të shtëpisë sime prindërore se, ndaj personit tim autoritetet gjyqësore qipriote kishin lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar dhe se nga Interpol Nikosia rezultoja “e shpallur në kërkim ndërkombëtar për rrëmbim fëmije të mitur” por asnjëherë nuk më arrestuan dhe as më njoftuan as edhe një fotokopje të këtij urdhëri gjyqësor apo mandat arresti qipriot. Sërisht ishim në rrezik për sigurinë e jetës time dhe sidomos të vajzës.
Nga provat që disponoj vërehet qartë se funksionarët e rajonit të Policisë dhe Prokurorisë së rrethit Berat, ku dorëzova të gjitha provat e dokumentuara (gati 200 fletë) në të cilat bazohen të gjitha peripecitë që përjetuam në Qipro, injoruan kërkesën time për akt mbrojtje ndaj nesh dhe nuk ndërmorën asnje ndjekje penale ndaj Nikolas Eleftheriou dhe bashkëpunëtorëve të tij me justifikimin “mungesë juridiksioni” duke më thënë se duhet të rikthehesha në Qipro për të kërkuar të drejtat e mia.
Po kështu, gjyqtarë dhe funksionarë të Gjykatës së rrethit Berat me anë të fletë-thirrjeve absolutisht të pavlefshme dhe pa kerkesë padi, pa pranuar dorëzimin e fakteve të ndodhura në Qipro, më kërkonin që të paraqitesha në këtë gjykatë si “palë e tretë” në proçesin gjyqësor për kthimin e vajzës në Qipro duke më komunikuar me gojë se do ishte i pranishëm edhe “pala kërkuese” d.m.th babai biologjik dhe nëse nuk pranoja të paraqitesha do më burgosnin. Ata pohonin në mënyrë absurde madje me zë të lartë dhe me tone të ashpra se, për zbatimin e Konventës së Hagës “Për aspektet civile të rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijës” nuk nevojitej kërkesë padi për hapjen e proçesin gjyqësor.
Oficerë të policisë së Beratit pa asnjë autorizim nga organi kompetent dhe kundër vullnetit të pjesëtarëve të familjes sime si dhe në prani të vajzës së mitur hynin me forcë në shtëpinë tonë duke na kërkuar të dhëna ku ndodheshin pjesëtarët e tjerë të familjes. Këto ece-jaket e tyre të vazhdueshme na shkaktuan panik dhe shqetësim për vazhdimësinë normale të jetës sonë familjare në Shqipëri.
Zbulojmë më vonë se Gjykata e rrethit Berat ka marrë një VENDIM ABSURD ”Në emër të Republikës” nr. 60 datë 15\7\2015 duke urdhëruar kthimin e vajzës babait biologjik në Qipro. Ky vendim, që nuk na u komunikua asnjëherë por e zbuluam ne, është marrë pa kërkesë padi nga pala kërkuese (babai biologjik) dhe brenda një afati 7 ditor. Kjo gjykatë edhe pse në dijeni të mirëfilltë të shtetësisë shqiptare të fëmijës së mitur nën kujdestarinë time eskluzive që nga lindja e saj dhe banore e përhershme në Shqipëri pranë familjes time prindërore, kjo sepse nuk egziston martesë ligjore midis meje dhe babait biologjik të fëmijës, vepruan në kundërshtim të hapur me nenin 227 të Kodit të Familjes së Shqipërisë që shprehimisht citon:”Përgjegjësia prindërore e fëmijës së lindur jashtë martese ushtrohet nga prindi që e ka njohur fëmijën si të tij. Nëqoftëse ai është njohur nga të dy prindërit, përgjegjësinë prindërore e kanë të dy prindërit” dispozitë e cila nuk gjen pasqyrim në rastin e fëmijës tim pasi mbiemri iu dha pa praninë, pa dijeninë dhe pa autorizimin tim. Gjithashtu në kundërshtim qartazi me ligjin qipriot nr.216/1990 “Mbi marrëdhëniet prind-fëmijë” ku nenet e mëposhtme të këtij ligji parashikojnë si më poshtë vijon: neni 3 (1-a): “Prindërit mund të vendosin për mbiemrin e fëmijës me anë të një deklarate të përbashkët me shkrim” gjë që në rastin tim nuk ka ndodhur; neni 4 (1-a): ”Fëmija i lindur pa martesën e prindërve të tij merr mbiemrin e nënës” në rastin tim i dhanë paligjshmërisht mbiemrin e babait biologjik; neni 9(1): “Kujdestaria e të miturit duhet të nënkuptojë, veçanërisht edukimin dhe mbikqyrjen e tij, arsimin dhe formimin e tij, si dhe vendbanimin e tij” siç dëshmojnë pakundërshtueshmërisht Çertefikata Personale dhe Çertefikata familjare që fëmija e mitur Eleftheria Eleftheriou është shtetase shqiptare me banim të përhershëm në Shqipëri nën kujdesin tim prindëror eskluziv; neni 16:“Përgjegjësia prindërore e fëmijës së lindur dhe lënë pa martesën e prindërve të tij, i përket nënës” dispozitë e cila nuk ka nevojë për koment.
Një “vendim” i marrë pa praninë dhe pa dijeninë time, pa një mbrojtës ligjor për mua dhe për vajzën, pa vlerësimin nga ana e Shërbimit Social teritorialisht kompetente dhe pa vlerësimin e një mjeku psikolog dhe çmenduria më e madhe në të qëndron tek statuset jo-gzistentë që më ka dhënë kjo gjykatë “e martuar dhe e divorcuar me Nikolas Eleftheriou”. Për më tepër, nuk rezulton në të as adresa e banimit të fëmijës në Qipro si dhe as e drejta e takimit me nënën. Është më se e dukshme pavlefshmëria absolute e këtij vendimi por nuk e kuptoj se përse autoritetet gjyqësore të vendit tim duhet të bënin këtë padrejtësi kaq makabre kundër dy bashkëqytetareve të veta: nënës dhe fëmijës së saj të mitur dhe përse nuk konsideruan rrezikshmërinë dhe agresivitetin e subjektit kriminal qipriot Nikolas Eleftheriou.
Kjo padrejtësi e mëtejshme, na detyroi që të iknim nga Shqipëria dhe më 17 shtator 2015 sëbashku me vajzën dhe nënën time 64 vjeçare udhëtuam drejt Italisë ku policia kufitare shqiptare në Vlorë dhe ajo italiane në Bari, pasi kryen kontrollin e pasaportave tona në sistem, nuk konstatuan asnjë kërkesë për urdhër arresti apo ndalimi në drejtim të personit tim.
Për arsye se filluan sërisht përndjekjet nga të njëjtët funksionarë italianë me qëllim rrëmbimin e vajzës, së bashku me vajzën dhe nënën time më 7 nëntor 2015 u detyruam të udhëtonim drejt Gjermanisë me besimin e plotë se kërkesa jonë për mbrojtje ndërkombëtare do konsiderohej dhe aprovohej nga Autoritetet e Drejtësisë Gjermane si një shtet me ligje shumë të forta dhe që garanton veçanërisht mbrojtjen e nënave dhe të fëmijëve. Udhëtuam me tren Milano-Zvicër-Frankfurt dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe se edhe nga policitë kufitare e këtyre vendeve të cilët pas kontrollit të pasaportave tona nuk dhanë asnjë alarm për urdhër arresti ose ndalimi ndaj personit tim, kjo sepse ishte evidente se gjithçka ishte një skenar kriminal i mirëorganizuar dhe mirëstrukturuar i Nikolas Eleftheriou dhe i ndihmësve të tij që kishin si qëllim të na nxisnin në kryerjen e ndonjë vepre penale, të na terrorizonin dhe të na shkatërronin psikologjinë sepse vetëm kështu do realizonin rrëmbimin e vajzës.
Pas mbërritjes tonë në Gjermani, në mesditën e datës 9 nëntor 2015 në atë Stacion të Policisë të Hahn-Frankfurt (si stacioni më i afërt për ne): ku u drejtuam me vullnetin tonë të lirë për të kërkuar mbrojtje ndërkombëtare dhe që për të mbërritur deri atje na u desh të ecnim në këmbë rreth 4,8 km me vajzën në krahë nga hoteli ku ishim vendosur; ku policë të paidentifikuar pasi konstatuan provat e padrejtësive të funksionarëve të 4 shteteve kundër meje dhe fëmijës nuk pranuan që të denonconim; ku pasi më sekuestruan pasaportën shqiptare të vajzës na izoluan të treja në një dhomë për 14 orë pa ushqim dhe pa ujë as edhe për fëmijën: ku na mohuan të drejtën për një avokat dhe për një përkthyes dhe vazhdimisht na premtonin gojarisht që duhet të rrinim të qeta e nuk duhej të preokupoheshim pasi atje ishim në duar të sigurta sepse do na sistemonin në një kamp azilantësh; ku nuk na lejuan të telefononim as familjarët dhe as ambasadën shqiptare në Berlin e nuk u kursyen të ushtronin dhunë fizike jo vetëm ndaj meje e nënës time por edhe ndaj vajzës e cila duke parë këto skena reagoi me shqelma në këmbët tyre me fjalët në gjuhën shqipe “Mos ma prekni mami tim! Mos ma prekni gjyshen time!”, në orën 2 të mëngjesit të datës 10 nëntor 2015 në atë dhome hynë 6 policë dhe një police femër të paidentifikuar pa asnjë mandat arresti apo urdhër ndalimi ndaj personit tim dhe pa asnjë vendim gjyqësor në lidhje me vajzën, pa praninë e një avokati për mua dhe për vajzën, pa prezencën e shërbimit social dhe pa një psikolog për fëmijën, dy policë ngritën peshë nënën time dhe e mbyllën me forcë në një qeli të atij stacioni. Pastaj, me një akt terrorist të paparë me të qara e ulërima nënë e bijë e duke thirrur “ndihmë” më xhvatën vajzën nga krahët dhe para syve të saj më rrahën në mënyrë mizore. Më përplasën në tokë ndërkohë që dy policë më mbanin këmbët me forcë duke mi prangosur, dy të tjerë më mbanin duart nga mbrapa shpinës gati të përthyera dhe më vunë prangat e dy të tjerë më mbanin kokën të tendosur në tokë dhe pasi pushova së qari dhe e ndier e pafuqishme, më ngritën në këmbë dhe përmes dy njoftime mashtruese nga INTERPOL NICOSIA, ku citon statusi im si “e divorcuar”, ku nuk rezulton asnjë mandat arresti apo urdhër ndalimi apo fotokopie e tyre, me akuzën si « rrëmbyese » e fëmijës tim u mbajta peng për 4 muaj nga autoritetet gjermane të Rheinland-Pfalz në burgun WOLLSTEIN. Për 12 ditë kam bërë grevë urie dhe ndërkohë që shëndeti im po përkeqësohej gjithnjë e më shumë nuk ndërmorën asnjë veprim të ndalohej greva por, më dosje dhe me penën në duar mjeku dhe përgjegjësja e repartit femëror të këtij burgu më kërkuan që të firmosja se isha unë që kisha vendosur që të vdisja. Për të më shkatërruar psikologjikisht nuk më lejuan asnjëherë një kontakt me vajzën apo më nënën qoftë edhe përmes telefonit. Pa asnjë seancë gjykimi, pa u përballur asnjëherë me prokurorë apo gjyqtarë, pa avokat e pa përkthyes, punonjës të policisë së burgut Wollstein më dorëzonin një numër të madh “vendimesh nga 4 gjykata të ndryshme” siç i quanin ata, disa prej të cilëve vetëm në gjuhë gjermane (pa përkthim) dhe disa vetëm në gjuhën shqipe.
Më 18/03/2016 punonjësit e drejtorisë së burgut ku mbahesha më thanë se do më trasferonin në burgun e Frankfurtit dhe pasi më lidhën duart me pranga me zinxhirë, në të vërtetë më dërguan në aeroportin e Frankfurtit duke më tërhequr si të isha një « kriminelë e pabindur ». Më dërguan në hollin e atij aeroporti ku mbaheshin të burgosurit për estradim, aty ku papritmas ia behën dy polica civilë qipriotë të cilët pasi më treguan dokumentin identifikues më thanë se nëse nuk pranoja të kthehesha në Qipro do të më kthenin me mënyrat e tyre…! Unë pranova sepse më thanë se atje ndodhej vajza ime. Më hoqën prangat dhe më kthyen pasaportën time por që autoritetet aeroportuale të Frankfurtit nuk vendosën në të vulën e daljes nga Gjermania. Nuk më kthyen më pasaportën shqiptare të vajzës e cila ende sot ndodhet në duart e Nikolas Eleftheriou.Në avion këta policë më paralajmëruan se për të mirën time nuk duhej të bëja asnjë veprim, asnjë numër. Udhëtimi drejt Larnaka (pa pranga në duar) u bë me zbritje në aeroportin e Athinës ku edhe këtu, autoritetet aeroportuale nuk vulosën pasaportën time.
Mbërritja në Qipro pasoi me burgosjen time dy ditore në Stacionin e Derynea (Famagousta) dhe për 3 muaj autoritetet qipriote më mbajtën në burgun qëndror në Nikosia, nën dhunë, tortura dhe trajtime çnjerëzore me qëllimin e vetëm që të heqja dorë nga vajza ime.
Edhe pse më lanë të lire më 1 Qershor 2016 ditë të cilën e konsiderova si bekim nga Zoti që përkon me Festën e Fëmijëve, funksionarë të caktuar qipriotë me kërcënimet e tyre më detyruan që të ikja nga Qipro. Më dëbuan duke më mbajtur peng fëmijën.
Që atëherë, unë nuk kam patur asnjë kontakt me vajzën as edhe një telefonatë dhe asnjëherë nuk kam rreshtur së kërkuari kthimin e saj sipas ligjit… por pa rezultat. Kam frikë jo vetëm për gjendjen e saj psikologjike duke iu referuar faktit për mënyrën se si u rrëmbye nga duart e mia e ndoshta mendon se e kam braktisur e duke e njohur mirë babain biologjik dhe familjarët e tij është e pritshme se çfarë gënjeshtra i thonë Eleftherisë kur pyet mua: « Ku është mami? Kur do kthehet mami?”, por mbi të gjitha kam frikë për sigurinë e saj, duke marrë parasysh rrezikshmërinë e subjektit Nikolas Eleftheriou që mund të kryejë ndonjë veprim të pariparueshëm kundër jetës së saj nga frika për pasojat ligjore për të gjitha padrejtësitë e kryera kundër personit tim dhe mbi të gjitha kundër fëmijës.
Në këtë botë të sotme, në këtë Evropë ku të drejtat e njeriut janë në gojën e gjithkujt dhe për të cilat janë hartuar, miratuar dhe ratifikuar akte dhe konventa ndërkombëtare, unë si një nënë e pafajshme dhe e pambrojtur u trajtova si kriminelja më e rrezikshme vetëm sepse mbrojta vajzën time dhe e solla në jetë pa kryer asnjë shkelje rregullash ose ligjesh. E mbrojta nga kthetrat e padrejtësive të pauditshme të « njerëzve ».
Edhe pse mund të duket një çështje surrealiste, për deklarimet e shkruara këtu ekzistojnë fakte dhe prova që dokumentojnë pa mëdyshje odisenë e tmerrshme të një nëne dhe fëmijës së saj shqiptare. Pafajshmërinë time gjithashtu e dëshmojnë edhe Çertefikata e Gjëndjes Gjyqësore e lëshuar nga Autoritetet e Drejtësisë Shqiptare më datë 27/10/2016, e dëshmojnë Çertefikata e Përgjithshme e Gjendjes Gjyqësore dhe Çertefikata e Çështjeve Penale në Ngarkim e lëshuar nga Autoritetet e Drejtësisë Italiane dhe të apostilluara të lëshuara me datë 03/10/2016 si dhe Çertefikata e Përgjithshme e Gjendjes Gjyqësore nga Autoritetet e Drejtësisë Italiane sipas të dhënave të Sistemit Informativ të Regjistrit Penal Evropian (ECRIS) e lëshuar me datë 17/06/2019.
Zoti President, zoti Kryeministër dhe zotërinj Ministra, jam e sigurtë se do të kuptoni, jo vetëm në cilësinë e ushtrimit të detyrës dhe funksioneve Tuaja, por edhe si prindër, ankthin, vuajtjen dhe dhimbjen time dhe të vajzës sime, si dhe të familjarëve të mi që po jetojmë që nga momenti i rrëmbimit të saj. Prandaj, nevojitet një ndërhyrje urgjente dhe e jashtëzakonshme në këtë çështje shumë të dhimbshme, delikate dhe ndoshta të papreçedentë se sa të pyesim nesër se kush është përgjegjës nëse diçka e keqe do të ndodhë me një fëmijë të pafajshëm !!!
Ju lutem në emër të JETËS dhe si NËNË në cilësinë e prindit me kujdestari të vetme, kthejini LIRINË vajzës sime ashtu sikurse ka edhe emrin ELEFTHERIA. Kthejeni këtë shqiptare të vogël të rritet me ngrohtësinë dhe dashurinë e nënës. Ju lutem, veproni sa më shpejt të jetë e mundur para se të jetë vonë.Ju falenderoj me zemrën e një nëne dhe uroj në zgjidhjen sa më të shpejtë dhe efektive për kthimin e fëmijës tim.
Me respekt,Dinora Neçi
Catania, Itali 28/10/2019