Zelensky kërkon përgjigje ndërkombëtare ‘të vendosur dhe vendimtare’ ndaj ‘aktit të fundit të çmendurisë ruse’.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në video-mesazhin e tij të mbrëmjes, u ka kërkuar liderëve botërorë që të “përgjigjen me vendosmëri pasi Rusia lëshoi një raketë eksperimentale balistike me aftësi bërthamore në qytetin ukrainas Dnipro të enjten.
Presidenti ukrainas tha se ai ka udhëzuar ministrin e tij të Mbrojtjes që të takohet me partnerët perëndimorë për të siguruar sisteme të përditësuara të mbrojtjes ajrore që janë “të afta të mbrojnë jetët kundër këtyre kërcënimeve të reja”.
Ai tha se ishte “mirënjohës” ndaj atyre që i janë përgjigjur këtij “akti më të fundit të çmendurisë ruse”, por shtoi se kërkohen veprime konkrete dhe se deklaratat mbështetëse nuk mjaftojnë.
“Bota duhet të përgjigjet me vendosmëri në mënyrë që Putini të ketë frikë nga zgjerimi i kësaj lufte dhe të përballet me pasoja reale për veprimet e tij. Paqja e vërtetë mund të arrihet vetëm me forcë – nuk ka rrugë tjetër”, tha Zelensky.
Ndërkohë ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka thënë se mbështetja e vetëmbrojtjes së Ukrainës është “mbrojtja më e mirë” për paqen në Evropë.
E pyetur nëse Berlini po rishqyrtonte lejimin e Ukrainës për të përdorur raketa me rreze të gjatë Taurus, Baerbock tha se Vladimir Putin përdori “raketa që nuk ishin përdorur më parë” me qëllim dekurajimin e vendeve evropiane që të mbështesin Ukrainën.
“Të luash me frikën ishte një recetë që Putini e ka përdorur”, tha ajo, duke shtuar se “mbrojtja më e mirë e paqes sonë evropiane është të mbështesim Ukrainën në vetëmbrojtjen e saj derisa Putini të ndalojë këtë luftë të tmerrshme”.
Presidenti Volodymyr Zelensky i ka kërkuar Gjermanisë që të mbështesë aftësitë e Ukrainës për sulm me rreze më të gjatë kundër Rusisë, pasi Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA miratuan përdorimin e raketave Storm Shadow dhe armëve të ngjashme amerikane Atacms brenda Rusisë nga ana e Ukrainës.
Por kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, i cili zhvilloi një bisedë 1 orëshe me Putinin javën e kaluar, ka hezituar t’i sigurojë Ukrainës raketat e lundrimit Taurus.