Në takimin e zhvilluar gjatë ditës së sotme në kuadër të prezantimin e platformës “AMBASADA IME”, kryeministri Rama duke folur në “Javën e Europës” dhe kontributin e BE-së në forcimin e rolit të shtetit deklaroi se Shqipëria ka bërë detyrat e shtëpisë dhe se Komisioni Europian në Tiranë, dha shenjën pozitive për hapje të negociatave.
“BE ka një rol të rëndësishëm në forcimin e rolit të shtetit. Rruga për të shkuar në BE është shumë më e rëndësishme se mbërritja. Kjo sepse sa më shumë hapa bëjmë për në BE, aq më shumë e forcojmë shtetin ligjor. Ne në Tiranë nuk punojmë vetëm për atë që na thotë Berlini a Brukseli dhe Parisi, por punojmë për një Shqipëri më të mirë nesër, për t’iu lënë fëmijëve tanë një vend sa më të begatë.
Sa i përket negociatave, Komisioni Europian në Tiranë pas një pune të gjatë dhe të saktë për realitetin këtu, duke dokumentuar situatën me racionalitet, u shpreh pro rekomandimit për hapje të negociatave me Shqipërinë. Dhe kur KE rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë, kjo do të thotë as më pak e as më shumë se ne kemi bërë detyrat e shtëpisë”, tha Rama.
Rama po ashtu nuk ka nguruar t’ju bëjë thirrje ambasadorëve të huaj në vendin tonë, kryesisht atij të Bashkimit Evropian, të mos lejojnë përfshirjen e procesit të negociatave në lojën politike. Kryeministri ua ka bërë të qartë diplomatëve ndërkombëtarë se e vetmja rrugë e Shqipërisë është Bashkimi Evropian dhe se qeveria shqiptare nuk do të ndalet deri në realizimin e saj.
Ndërkohë, pavarësisht se çfarë ndodh në qershor, ashtu sikurse tha ai, Rama shprehu gadishmërinë e tij dhe të qeverisë për kryerjen e detyrave nga vendi ynë të mund t’i çelen negociatat brenda këtij viti.
“Të gjithë ambasadorëve dua t’iu them se për ne nuk ka rrugë tjetër, është e vetmja rrugë, dhe pavarësisht se çfarë ndiejmë ne kur duhet të kalojmë detin me këmbë, për shkak se ka një problem këtu e një problem andej, ajo që dimë është se kjo është e vetmja rrugë dhe do vazhdojmë të këmbëngulim në këtë rrugë. Ju lutem, bëni atë që mundemi që të mos lejoni që loja me negociatat të kthehet në lojë me zjarrin këtu në vendin tonë. Këtë shqiptarët nuk e meritojnë. Duhet ta nxirrni procesin e negociatave nga loja politike, duke i hapur negociatat dhe duke e bërë të pamundur që njëra palë apo tjetra ta shfrytëzojë….
KE tha vitin e kaluar se në këtë qershor do të çelen negociatat dhe në dhjetor do të bëhet konferenca e parë, duke vendosur dhe disa detyra të tjera, që janë normale. Ajo që ka shumë rëndësi për ne është se u hap dera që Shqipëria të fillojë procesin. Kushedi çfarë do ndodhë në qershor! E them këtë sepse duhet të presim ditën. Ne do vazhdojmë t’i bëjmë detyrat tona, jo se i kërkon komisioni, por se në fund të gjithë duhet të jenë të kënaqur, por edhe sepse e kërkon e ardhmja e vendit tonë. Integrimi është një proces që na jep një fuqi njohjeje, dijeje, shtetbërjeje, që nuk na buron nga tradita, sepse tradita nuk është aty për të na mësuar se si bëhet një shtet funksional demokratik dhe për këtë arsye na vjen nga e vetmja rrugë, që është BE. Askush nuk e di këtu se çfarë do të vendoset në qershor, por jam i bindur se ky është viti ku të gjitha rrethanat janë dhe do të jenë aty për të çelur negociatat”, tha ndër të tjera kreu i ekzekutivit Rama.
Gjatë takimit të sotëm një vëmendje të veçantë Rama i ka kushtuar edhe problemit të tabelave në Finiq të Sarandës, për të cilën u shpreh se tabelat u hoqën sepse ishin jashtë kritereve dhe se deri të premten do të rivendosen nga ARRSH në bazë të legjislacionit shqiptar. Ndërsa në lidhje me këtë çështje nuk ka harruar të komentojë akuzat dhe kritikat në drejtim të qeverisë për marrëveshjen me Greqinë duke thënë ndër të tjera se: “Për ne diplomacia ka pasur dy shtylla. Nga njëra anë nevojën për t’i dhënë një dinamikë të re politikës sonë të jashtme dhe një rol të ri Shqipërisë në rajon dhe nga tjetër për ta bërë shërbimin tonë më eficient për qytetarët tanë.
Për Greqinë, dua të them se sa rëndësi ka procesi dhe se sa shumë është bërë për ta dinamizuar këtë marrëdhënie duke adresuar probleme të vjetra dhe duke bërë çmos që ato të mos rishfaqen si të reja si shkak i arsyes së mosarsyes politike. Dy gjëra dua të sjell, nga njëra anë marrëveshjen për përcaktimin e kufirit detar, tradhtar ne këtej, tradhtarë ata andej domethënë që procesi po shkon si duhet pasi nuk ka mundësi që të dyja palët të kenë tradhtuar. Përkundrazi të dyja palët po kërkojnë rrugën e zgjedhjes.
Para pak ditësh u ngrit një tjetër furtunë, u ngrit këtu, vazhdoi andej për disa tabela rrugore të vendosura pranë një zone me shumicë minoritare. U tha, ç’nuk u tha këtej, u pasua andej gjithmonë nga zërat dhe burimet që kërkojnë sherr, ndërkohë që është shumë e thjeshtë. Tabelat nuk u hoqën sepse kishin lidhje me minoritetin por se ishin jashtë kritereve teknike dhe pa marrë parasysh parametrat e sigurisë, duke shmangur nevojën e një leje që do evitonte këto. Nuk u hoqën për të mos u vënë më. Nesër do të fillojnë të vendosen dhe deri të premten do jenë të vendosura të gjitha nga ARRSH mbi bazën e legjislacionit në fuqi”, deklaroi kryeministri.
Discussion about this post