Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, prej ditësh është vënë në qendër të akuzave të opozitës, për blerje votash me anë të bandave kriminale.
Sot, mediet kanë zbardhur përgjimet në të cilat kryebashkiaku Vangjush Dako, flet me anëtarë të bandës së narkotrafikut “Avdylaj”, konkretisht me Altin Avdylin.
I pyetur në studion e emisionit “Opinion” lidhur me përgjimet në të cilat Altin Avdylit i kërkohet që të flasë me “Vangjushin” për t’i dhënë ndonjë lek anëtarëve të familjes “Kurti”, Dako tha se këto janë pjesë e realitetit shqiptar. Ai shkon më tej kur thotë atij i shkojnë ditën e zgjedhjeve në zyrë dhe i kërkojnë lekë.
“Po ç’janë këto o Fevzi, këto janë karagjozlliqe. Me këto do të merremi ne tani. Ky është realiteti shqiptar. Mua më vijnë në zyrë ditën e votimit e më kërkojnë lekë. O Vangjush a na jep naj lek. Ky është realiteti shqiptar”, – tha Dako.
(B.B/ Faxweb.al)