Ligjvënësit në Bosnje-Hercegovinë kanë miratuar qeverinë e re, duke thyer bllokadën prej 14 muajve prej kur janë mbajtur zgjedhjet.
Me 29 vota pro, nëntë kundër dhe një abstenim, është miratuar struktura e re e Këshillit të Ministrave.
Kjo pikë kthese vjen pas një kompromisi të arritur në mes serbëve, kroatëve dhe boshnjakëve, për të emëruar, Zoran Tegeltijan si kryeministër të ri.
Tegeltija, ministrat dhe zëvendës-ministrat janë betuar pas votimit të 23 dhjetorit.
Një nga çështjet kyçe për mosmarrëveshje në mes të të trija palëve ka qenë kundërshtimi i liderit të serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, për anëtarësimin eventual të këtij shteti në NATO.
Në kuadër të kompromisit të arritur në muajin nëntor, presidenca boshnjake është pajtuar për të dërguar një program të reformave në selinë e NATO-s në Bruksel.
Ende është e paqartë sesi dallimet për të formuar qeverinë do të ndikojnë në rrugën e këtij shteti drejt anëtarësimit eventual në Bashkimin Evropian, apo në bashkëpunimin me Fondin Monetar Ndërkombëtar./REL