Pranë Torrës Veneciane në Durrës, vijojnë punimet e projektit Veliera. Amfora.al shkruan se sotështë thyer me kazëm muri ngjitur me Torrën Veneciane nga punonjësit e firmës private që po zbaton projektin e Bashkisë Durrës.
“Amfora.al” vuri në dijeni drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës, Ledion Lako, i cili tha se do të dërgonte specialistët për të verifikuar rastin.
Ky fragment muri është Monument Kulture i Kategorisë I, referuar shpalljes së Torrës Veneciane dhe murit rrethues të qytetit si të tillë, përpara viteve’90.
Në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, neni 28, për Monumentet e Kulturës shkruhet se:
“2.Ato ruhen ne tërësinë e përbërësve të tyre arkitektonike dhe teknike. Kompozimi i vëllimeve, trajtimi arkitektonik i pamjeve te jashtme dhe të brendshme, si dhe zgjidhja planimetrike dhe funksionale e këtyre monumenteve nuk mund të ndryshohen.
3.Ndërtimet e reja pranë tyre duhet të respektojnë distancat e zonës së mbrojtur”.
Sipas Amforës, projekti me ndërhyrje nëntokësore është i paligjshëm sepse gjysma e projektit “Veliera” shtrihet në Zonën Arkeologjike A, që i ndalon kategorikisht projektet me ndërhyrje nëntokësore. (D.D/Shuplaka)