Deputeti i Partisë Socialiste, Vladimir Kosta, ka reaguar pas akuzave të Prokurorisë për fshehje të dënimit.
Duke i cilësuar “flluska sapuni” përpjekjet e Prokurorisë që sipas tij nuk dihet se ku do të dalë, ai shprehet se i duhet të reagojë pasi nuk mund të lejojë t’i përdhoset emri.
Kosta sqaron se bëhet fjalë për një shtesë në formularin e dekriminalizimit, veprim që është kryer edhe nga deputetë të tjerë, për një gjobë 10.000 lekë të marrë në vitin 2000.
Duke kërkuar shpjegim se përse për Sali Berishën nuk kërkohet heqje mandati, deputeti socialist ka postuar një kopje të dokumentit zyrtar sipas tij, të cilën Prokuroria nuk ka ditur ose s’ka dashur ta lexojë.
Një ditë më parë, Prokuroria kërkoi heqjen e mandatit për deputetin Vladimir Kosta që rezulton i dënuar nga gjykata.
Reagimi i deputetit Vladimir Kosta:
Keqardhje për përdorimin politik të institucioneve
Jam njohur sot nga media me një kërkesë që Prokuroria e Përgjithshme i ka bërë KQZ për mandatin tim. Nuk dua të bëj komente mbi punën e institucioneve ligjzbatuese, por nuk mund të lejoj të më përdhoset emri dhe imazhi im.
Rasti im është i njëjtë me atë të 19 deputetëve të tjerë që bënë shtesa në formularin e dekriminalizimit, pasi kishte kaluar afati ligjor. Në rastin tim kisha harruar një gjobë 10.000 lekë të marrë në vitin 2000. Ishte një gabim njerëzor dhe jo fshehje të dhënash. Më pas është çdo gjë e deklaruar. KQZ e mori një herë në shqyrtim formularin tim dhe nuk konstatoi shkelje.
Nuk e kuptoj ku do të dalë Prokuroria me këto flluska sapuni. Shtesa në formular bënë edhe mjaft deputetë tjerë dhe nuk pati asnjë kërkesë të tillë. Po për Sali Berishën etj, pse nuk kërkojnë heqje mandati?
Do ju kërkoja dhe mediave të ishin të kujdesshme kur shkruajnë se unë kam “fshehur” të dhënat në formular. Po postoj një kopje të dokumentit zyrtar që kam dorëzuar për tu treguar se Prokuroria ose nuk di ose nuk ka dashur ta lexojë.
(XH.A/SHUPLAKA)