Napoli arriti të fitojë edhe matematikisht titullin e tretë në historinë e tij me barazimin e fundit në Udine, i cili nuk lejon asnjë nga ndjekësit ta arrijë më skuadrën e Luciano Spallettit. Një triumf i merituar dhe që ka mbërritur pesë ndeshje përpara fundit të kampionatit. Barazimi 1-1 ishte i mjaftueshëm ndaj friulianëve për të nisur festën, por diçka nuk shkoi në drejtimin e duhur.
Pas “bilbilit të trefishtë” pati episode të dhunshme dhe sjellje shumë të dyshimta që prishën atmosferën e gëzimit, tashmë autoritetet po punojnë për ndëshkimin e përgjegjësve. Tifozët blu pushtuan fushën dhe një pjesë u drejtuan drejt pjesës veriore të “Dacia Arena”, duke nxitur kështu reagimin dhe përplasjet e ndodhura në mes të fushës.
Sigurisht që organizata e sigurisë dukej shumë e diskutueshme dhe kjo do të thoshte që përveç tifozëve napolitanë, në fushë kishin hyrë edhe ultrasit friulianë, duke shkaktuar kështu një sërë përplasjesh që u ndërprenë me forcë nga shërbimi i sigurisë. U regjistruan gjashtë të lënduar, duke përfshirë një stjuard, por asnjë nuk është në gjendje të rëndë.
Përveç këtyre ngjarjeve absolutisht të neveritshme, kanë ndodhur edhe episode të tjera si me rastin e çdo feste. Disa tifozë të Napolit kanë “shqyer” copa bari nga fusha e “Dacia Arena” për t’i pasur si kujtime të këtij tituli, që vjen pas 33 vitesh, por në disa raste është një operacion i vërtetë tregtar.
Disa orë më vonë, të parat prej këtyre kujtimeve po qarkullonin tashmë në internet, në faqet më të njohura të shitjeve. Kështu, në ‘eBay’ mund të blini një pjesë të fushës së lojës së stadiumit të Udines për jo më pak se 100 euro, si kujtim i fitores së titullit të tretë të Napolit.
Kjo reklamë kishte arritur deri në 700 euro, por tashmë nuk është shfaqur në platformë që nga pasditja e djeshme. Edhe përshkrimi që i referohej një produkti ‘të papërdorur dhe në gjendje të re’ të bënte të buzëqeshësh…