Pas notës verbale që ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, i komunikoi ambasadorit rus, Aleksandër Karpushin, ambasada ruse në Tiranë ka nxjerrë një njoftim të ri.
Në një shënim të shkurtër të nxjerrë nga ambasada ruse në Facebook, thuhet se sipas një VKM-je që ka hyrë në fuqi ditën e djeshme, janë hequr vizat mes Shqipërisë dhe Rusisë për një periudhë 6 mujore, nga data 1 prill deri në 31 tetor 2018.
“Hyn në fuqi VKM për heqjen e vizave për shtetasit rusë
Sot, më 27 mars, pas botimit në Fletoren Zyrtare ka hyrë në fuqi Vendimi i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë Nr. 158, datë 21 mars 2018, për heqjen e vizave për shtetasit e disa vendeve, përfshirë edhe Rusinë, për periudhën 1 prill – 31 tetor 2018.”-thuhet në njoftimin e ambasadës.
Deklarata e fundit vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Tiranës zyrtare dhe Moskës nuk janë në ditën e tyre më të mirë.
Pak ditë më parë ambasada ironizoi deklaratën e Bushatit për vrasjen e agjentit rus, duke thënë se ekspertët e ministrisë së Jashtme janë “specialistë” por që nuk kanë prova.
Pas dëbimit nga Kryeministri Rama të dy diplomatëve, vjen dhe kjo lëvizje e fundit e rusëve në Tiranë.
Pritet të shohim nëse heqja e vizave do sjellë gjatë kësaj vere turistë rus në Shqipëri, që mund të sjellin zhvillime të reja.
(F.G/Faxweb.al)