Ndërrimi i viteve do të jetë një moment i paharrueshëm për qytetarët e Tiranës, por edhe për shumë të tjerë që do të vijnë për të festuar në kryeqytet. Me rastin e Vitit të Ri, Bashkia e Tiranës do të organizojë një koncert të madh festiv, ku nuk do të mungojë muzika më e mirë e momentit dhe spektakli i fishekzjarrëve.
Në një dalje për mediat, Drejtoresha e Përgjithshme e Promovimit të Qytetit, Julinda Dhame, ftoi të gjithë qytetarët e Tiranës që të ndjekin koncertin festiv që organizohet sot në sheshin “Nënë Tereza”.
“Sot Bashkia e Tiranes organizon një koncert të madh festiv ne sheshin “Nënë Tereza”, duke nisur nga ora 23:30 deri në orën 1:30 pas mesnate. Ju ftojmë ta festojmë të gjithë bashkë natën e ndërrimit të viteve, një spektakël i madh fishekzjarrësh, me këngëtarë të njohur të skenës shqiptare”, tha Dhame.
Spektaklin dhe emocionet mbrëmjen e sotme e garantoi dhe prezantuesja e këtij koncerti, Marina Vjollca. “Do të jetë një koncert i konceptuar ndryshe, fantastik. Një koncert, ku do të jenë disa nga emrat më të mirë të muzikës shqiptare, me performanca të jashtëzakonshme. Duhet të vini me patjetër dhe të mos e humbisni, sepse ora 00:00, momenti i hedhjes së fishekzjarrëve, do të jetë një spektakël që ka për të mbetur shumë gjatë në memorien tuaj. Mos mungoni”, tha ajo.
Organizimi i Bashkisë së Tiranës u përshëndet edhe nga Klajdi Selimi, i cili vlerësoi rikthimin e aktiviteteve kulturore në Tiranë. “Do të performojnë edhe vajzat Elementriks, do të kemi “Lazer Show”. Urimet më të mira, ju presim që të gjithëve në shesh, mos mungoni, super koncert”, theksoi Klajdi Selimi.
Atmosfera e festës do të përcillet nga Marina dhe Luana Vjollca, ndërsa nuk do të mungojnë dhe performancat e artistëve të tjerë të njohur si Klajdi Selimi, Majk & Onat, si dhe Dren Abazi, së bashku me Zig Zag Orkestra. Një atmosferë të veçantë do të krijojnë dhe Lazer Show, Talentet e Tirana Art Fest dhe Akrobatët e Cirkut Kombëtar.
Mbrëmjen e sotme të ndërrimit të viteve, nuk do të mungojë as numërimi mbrapsht i akrepave të orës që do të shoqërohet nga spektakli i fishekzjarrëve, por edhe urimi i kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, për çdo qytetar të Tiranës dhe të Shqipërisë në këtë fundvit. (A.R/SHUPLAKA)