Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka denoncuar me tone të ashpra situatën aktuale në Bashkinë e Tiranës. Ai akuzon kryeministrin Edi Rama dhe Kryebashkiakun Erion Veliaj për keqmenaxhim dhe korrupsion, duke i cilësuar si drejtues të një regjimi mafioz që ka plaçkitur kryeqytetin.
Tirana po përjeton ditët e saj më të zeza.
Edi Rama dhe Erion Veliaj, dy kryebanditët e “Rilindjes”, edhe në këto ditë të fundit të mbetura për Narkoshtetin, po dëshmojnë se për ta qeverisja e kryeqytetit nuk ka patur kurrë rëndësi por se vetëm plaçkitja edhe e qindarkës më të fundit, ka qenë dhe mbetet i vetmi prioritet për klikën mafioze në largim.
Autonomia dhe ligji për pushtetit vendor është asgjesuar nga mafiozët, siç u rrëmbyen kompetencat e Këshillit Bashkiak për t’i hapur udhën inceneratorit që nuk ekziston.
Lufta mafioze mes dy Kryebanditëve të Narkoshtetit, Edi Ramës dhe Erion Veliajt, ka shpërthyer me egërsi për kontrollin absolut të Bashkisë së Tiranës, duke dëshmuar në mënyrë të pakontestueshme se ky institucion është kthyer në një plaçkë për mafiozët e “Rilindjes”.
Kjo përleshje e pamëshirshme mes dy klaneve të krimit shtetëror nuk është thjesht një përplasje për pushtet, por një betejë për mbijetesë, ku secila palë kërkon të marrë nën kontroll burimet financiare të kryeqytetit dhe të vazhdojë pa ndërprerje skemën monstruoze të zhvatjes së taksave të qytetarëve nëpërmjet aferave të përbindshme si ajo e inceneratorit që nuk ekziston, pagesat për të cilin ende vijojnë të kryhen.
Në këto ditë të fundit të pushtetit të tyre kriminal, dy bandat brenda “Rilindjes” kanë nisur të shqyejnë egërsisht njëri-tjetrin, duke u përplasur në një luftë të paskrupullt për dominimin e aseteve dhe pasurive publike.
Institucionet e Bashkisë së Tiranës, të cilat prej kohësh janë kthyer në makina gjigante të pastrimit të parave dhe të shpërdorimit të fondeve publike, janë tashmë arenë e një beteje mes klaneve mafioze që deri dje bashkëpunonin për të vjedhur qytetarët, ndërsa sot po hanë kokat e njëri-tjetrit me metoda të dhunshme dhe të paskrupullta.
Kjo luftë për territor mes bandave grabitqare të “Rilindjes” ka kaluar tashmë çdo kufi, duke sjellë një paralizim total të funksionimit të Bashkisë së Tiranës. Qindra mijëra qytetarë kanë mbetur në mëshirë të fatit, teksa shërbimet publike janë braktisur dhe institucionet lokale janë kthyer në vende përplasjeje, ku urdhrat për emërime dhe shkarkime jepen e anulohen si në një fushëbetejë mafioze. Nuk është më sekret se tashmë, sejmenët e dy grupeve përplasen hapur, madje duke ndaluar me forcë futjen e njëri-tjetrit në godinat e institucioneve.
Më e tmerrshmja është se këto lëvizje mafioze drejtohen nga dy qendra të errëta pushteti: urdhrat nga qelitë e burgut të Durrësit, të cilat anulohen dhe kundërshtohen me urdhra nga bunkeri i Surrelit. Kjo është dëshmia më e qartë e përpëlitjeve të fundit të regjimit kriminal, i cili po përjeton një krizë të brendshme që vetëm sa do të thellohet deri në momentin e çlirimit të Tiranës më 11 Maj. Në këtë ditë vendimtare, qytetarët e Tiranës do të japin verdiktin e tyre përfundimtar dhe do të ndëshkojnë me votë mafian e inceneratorëve që ka marrë peng Bashkinë e tyre.
11 Maji nuk është thjesht një datë zgjedhjesh, por një referendum popullor kundër rrjetit mafioz që ka shkatërruar Tiranën.
Qytetarët do të kenë në dorë shansin historik për të shkatërruar këtë regjim kriminal dhe për të çliruar institucionet e tyre nga kthetrat e mafies shtetërore.
11 Maji është dita për të ndëshkuar përfundimisht Edi Ramën dhe Erion Veliaj që kanë vjedhur, zhdukur dhe shkatërruar ëndrrat e një kryeqyteti të tërë.
Vetëm duke votuar për koalicionin fitues “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” dhe për Ilir Metën, Tirana do të çlirohet më 11 Maj dhe do të triumfojë mbi mafien që e ka gjunjëzuar për vite të tëra!
Tirana madhështore që meritojnë të gjithë qytetarët e saj do të ndërtohet me një votë plebishitare për koalicionin “PD-Aleanca për Shqipëri Madhështore” dhe me një votë masive për Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Meta për Tiranën është garanci për demokracinë, për Tiranën e lirë dhe madhështore dhe për rikthimin e Bashkisë plotësisht në shërbim të qytetarëve.