”Molla e sherrit” Klement Balili vazhdon të jetë ende i lirë ndërkohë që politika në vend zien nga konlikti, ndër të tjera dhe për kapjen dhe moskapjen e tij. Dy ministra duket se janë vënë ballëpërballë mes tyre për ‘’kokën’’ e Balilit, ndërkohë që vazhdojnë operacionet dhe sot janë përqendruar në zonën e Gjirokastrës.
RENEA dhe FNSH kanë kryer kontrolle në disa banesa në qytetin e Gjirokastrës si dhe në fshatrat Asim Zeneli, Fushëbardhë dhe Golem. Kontrollet në këto banesa janë bërë pas konfirmimeve se disa familje kishin lidhje farefisnore me Kelmend Balilin. Kontrollet janë bërë mëngjesin e së dielës në lagjen 18-shtatori, ish-SMT dhe ne Palorto në Gjirokastër.
Në total Policia ka kontrolluar 7 banesa, por në asnjërën prej tyre nuk janë gjetur gjurmë të Kelmend Balilit. Në këtë operacion janë angazhuar 4 grupe me nga 7 oficerë të FNSH dhe RENEA-s. Ky aksion është zhvilluar vetëm një ditë pasi Policia bëri kontrolle në banesat e familjes Balili në Delvinë dhe në Sarandë. Policia kontrolloi hotelet dhe banesat në pronësi të Balilajve, por nuk gjeti gjurmë të të shumëkërkuarit për trafik droge nga Greqia.
Pavarësisht se shoqëroi 11 të afërm të Kelmend Balilit, të gjithë mohuan se kishin pasur kontakte me të. Kelmend Balili është në kërkim ndërkombëtar pasi dyshohet se drejtonte një grup të mirë strukturuar për trafikun e drogës në Greqi dhe në Europë. (E.K/SHUPLAKA)