Në kuadër të megaoperacionit antidrogë të koduar “Blloku 33” në Tiranë, policia ka vënë në pranga një tjetër person të shpallur në kërkim, duke rritur në 27 numrin e të arrestuarve deri tani.
Sipas raportimeve zyrtare, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin Nr.6 kapën në zonën e Kasharit shtetasin Ardian Brija, 33 vjeç, i cili ishte i kërkuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në lokalet e natës në kryeqytet. Për të është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”.
Megaoperacioni vijon me kërkime aktive për kapjen e 6 personave të tjerë të shpallur në kërkim lidhur me këtë çështje.
Materialet procedurale janë dërguar në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia apelon qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo informacion që mund të ndihmojë në goditjen e trafikimit të drogës në kryeqytet.