Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar kontrollet në të gjitha akset interurbane dhe në qendrat e banuara, me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor.
Monitorimi po kryhet nëpërmjet përdorimit të dronëve, radarëve, kamerave të monitorimit dhe me praninë e shtuar të patrullave në terren.
Gjatë javës së fundit, si rezultat i kontrolleve dhe monitorimeve të zhvilluara, janë evidentuar dhe ndëshkuar një sërë shkeljesh:
Janë arrestuar/proceduar penalisht 41 shtetas, prej të cilëve 18 për drejtim të automjetit në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi;
46 automjete janë bllokuar për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor;
Janë vendosur 13 911 masa administrative për parregullsi të ndryshme;
23 leje drejtimi janë pezulluar, përfshirë rastet e shpejtësisë tej normave të lejuara dhe drejtimit nën ndikimin e alkoolit;
Është ndaluar 1 shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Nga terreni, Nënkomisari Gerhard Baka, komandant i njërit prej grupeve të monitorimit të trafikut rrugor, bëri apel për respektimin rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor nga të gjithë përdoruesit e rrugës.
Gjithashtu, ai theksoi rëndësinë e qarkullimit të drejtuesve të monopatinave elektrike vetëm në korsitë e dedikuara, si dhe ftoi qytetarët që të denoncojnë çdo rast të shkeljes së rregullave rrugore.
Policia Rrugore e Tiranës mbetet e angazhuar për garantimin e sigurisë në rrugë dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.