Një tjetër operacion i suksesshëm i Policisë së Shtetit është finalizuar në kryeqytet. Komisariati i Policisë Nr. 4, në kuadër të masave të shtuara për goditjen e paligjshmërisë në të gjitha format e saj, zhvilloi dhe çoi deri në fund operacionin e koduar “The Holder”, duke çuar në pranga një person dhe duke sekuestruar një sasi të konsiderueshme armësh dhe municionesh.
I arrestuari është shtetasi Saimir Allmuça, 41 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se posedonte në mënyrë të paligjshme armë dhe materiale të tjera të ndaluara.
Operacioni nisi në Rrugën e Dibrës, ku shërbimet e Policisë ndaluan automjetin që drejtohej nga Allmuça. Gjatë kontrollit fizik dhe atij në mjet, efektivët gjetën një armë të ftohtë – një thikë, që u sekuestrua menjëherë në cilësinë e provës materiale.
Hetimet u thelluan dhe kontrolli vijoi në banesën e të arrestuarit, ku Policia zbuloi një arsenal të vogël armësh dhe municionesh. U sekuestruan dy armë zjarri, një pistoletë dhe një pushkë, një armë sportive, një armë e ftohtë, municion luftarak, si dhe disa emblema policie – materiale që ngrejnë dyshime për qëllime të tjera të rrezikshme.
Të gjitha provat materiale u sekuestruan nga Policia, ndërsa materialet procedurale i janë referuar tashmë Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme hetimore.
Policia e Tiranës nënvizon vendosmërinë për të vijuar pa ndërprerje luftën kundër armëmbajtjes pa leje dhe çdo aktiviteti të paligjshëm që cenon sigurinë publike.