Presidenti i Kukësit, Safet Gjici ka deklaruar për “Supersport” se ky është viti i Kukësit dhe se ekipi i tij e meriton këtë vit trofeun. Për ndeshjen e nesërme ndaj Skëndërbeut ai është shprehur se të tre rezultatet janë të pranueshme, ndeshja është e fortë dhe Kukësi do të luaj vetëm për fitore, ka thënë ai. Gjici u ka bërë thirrje tifozëve të Kukësit që të jenë të pranishëm në këtë ndeshje për të mbështetur ekipin, Kuksianët janë gati për të festuar titullin, sipas tij.
“Është ndeshja e 5 viteve bashkë sepse luftojmë për titullin dhe besoj se do të vijë dita që do të korrim suksesin. Është një ndeshje e fortë me një ekip që ka treguar prej 6 vitesh që është kampion. Nuk duhet të kemi presion por skuadra duhet ta vlerësojë shumë këtë ndeshje. Ka ardhur dita që pas 5 vitesh të mbledhim frytet e punës sonë. Në futboll janë tre rezultate në lojë, por ne na duhet fitorja dhe do të ishte qershia mbi tortë që ta bënim këtë në Kukës. Besoj që ekipi e ka vlerësuar maksimalisht.U bëj thirrje tifozëve të jenë në mbështetje të ekipit. Që mos të ketë probleme asnjë tifoz, biletat janë te pika e shitjes. Kuksianët janë gati për të festuar titullin. Edhe Takaj pretendon për të fituar, por nuk do të përsëritet më që ata ta fitojnë titullin këtu në Kukës. Janë 5 vjet investime pikërisht për të marrë këtë titull”, është shprehur Gjici.
Presidenti i Kukësit është shprehur se ekipi i Kukësit është impenjuar maksimalisht por nuk mund të përcaktojë se cili lojtar mund të vendosë ndeshjen.
“Nuk mund të përcaktoj asnjë lojtar që do të vendosë, por skuadra është e impenjuar maksimalisht. E rëndësishme është që të fitojmë ndeshjen, se kush do ta shënojë golin kjo pak rëndësi ka.” ka thënë Gjici. (B.H/Shuplaka)