Një tjetër incident me gomone ka ndodhur në vendin tonë, këtë herë në Vlorë, ku mjeti lundrues ka përplasur një të mitur.
Ngjarja ka ndodhur në plazhin e Jonufrës, ndërkohë që policia thotë se i mituri është dërguar në spital jashtë rrezikut për jetën. Të njëjtin konstatim policia bëri dhe në rastin e përplasjes së çiftit në Jalë, ku më pas u desh dërgimi i të rinjve në spitalin e Traumës, në gjendje kritike për jetën.
Pavarësisht deklaratave pompoze të policisë së janë marrë masat për sigurinë në plazhe, incidenti i sotëm tregon se një gjë e tillë nuk ka ndodhur, dhe mjetet që lejohen në afërsi të bregut rrezikojnë jetën e pushuesve.
Njoftimi i Policisë:
Sot, rreth orës 17:40, në plazhin e Jonufrës, shtetasi H. K., rreth 40 vjeç, duke drejtuar një mjet lundrues tip gomone, ka dëmtuar një 7-vjeçar, i cili ka qenë duke notuar në afërsi të bregut. Aktualisht fëmija ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Drejtuesi i mjetit lundrues është shoqëruar nga Policia për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.