Një tjetër përplasje mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, kryesisht mes Ilir Beqajt dhe Petrit Vasili, deklaratë që është mbylluar pa dyshim me “timonin”. Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka sulmuar në distancë Petrit Vasilin, për kohën kur ky ishte në krye të kësaj ministrie gjatë qeverisjes Berisha-Meta.
Duke u ndalur tek “koncesionet e Beqes” me të cilat LSI ka vendosur të merret” sipas Beqaj, ai ka reaguar sot për centralin e sterilizimit me vlerë 1 milionë euro të instaluar në 2010-në në QSUT, por që nuk u vu në punë deri në ardhjen në pushtet të PS-së në 2013-ën.
Ai shprehet se në atë kohë centrali flinte, ishte lënë në mëshirë të fatit, e për ta rivënë në punë u deshën rreth 200 mijë euro.
Reagimi i Ilir Beqaj:
Meqë LSI ka vendosur të merret me “koncesionet e Beqes”, për sot po ndalem te instrumentat kirurgjikale dhe sterilizimi i tyre.
Në vitin 2010 në QSUT u instalua një central sterilzimi me vlerë rreth 1 mln euro. Deri në shtator 2013 nuk u vu asnjë herë në punë. Për pse-në LSI ta kërkojë përgjigjen tek ata që drejtuan shëndetësinë në atë periudhë. Janë rreth 25 mijë operacione kirurgjikale në vit që bëhen vetëm në QSUT. Në tre vite 2010 – 2013 bëjnë 75 mijë operacione vetëm në QSUT. 75 mijë pacientë nën rrezik infeksionesh pasi instrumentat sterilizoheshin me autoklava të vjetra, ndërsa centrali flinte. Ishte lënë në mëshirë të fatit. Vetëm për ta rivënë në punë u shpenzuan rreth 200 mijë euro.
Se me çfarë instrumentash kirurgjikalë operoheshin shqiptarët edhe në mes të Tiranës i ka treguar Edi Rama para disa javësh në Neës 24. Pse në 2005 – 2009 dhe në 2009 – 2013, askush nuk denjoi të ndërrojë instrumentat kirurgjikalë? Ndoshta nga nostalgjia që kanë për miqësinë me “Kinën popullore”. Ky “koncesioni i Beqes” do të sjellë 96 mijë instrumenta kirurgjikalë të fjalës më të fundit të teknollogjisë.
Për këtë “koncesionin e Beqes”, le të pyesin secilin nga 110 kirurgët e QSUT. Ka edhe pjesëtarë forumesh të LSI-së. Le të pyesin në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”. Edhe në atë spital bëhen rreth 7 mijë lindje në vit. Të pyesin edhe tek materiniteti tjetër “Koco Gliozheni”. Prej një jave ka filluar të zbatohet edhe aty ky shërbim i ri. Vetëm për impantin e ri të sterilizimit dhe punimet civile janë investuar nga partneri privat rreth 400 mijë euro. Ja dhe ilustrimi me foto.
Kemi bërë shumë. Më shumë akoma mbetet për të bërë. Po ka edhe shumë për të humbur, nëse #PartiaSocialiste nuk mban, pa të tjerë në prehër, timonin e reformave. Për #ShqipërinëQëDuam me #Shtet #Punë #Mirëqenie.