Një avion i “Qantas Airways’ në Australi u detyrua të kthehej mbrapsht, pasi një rrotë i shpërtheu në ajër shumë shpejt pas ngritjes.
Avioni po fluturonte nga Brisbane drejt qytetit lindor të Mackay, kur rrota e mbushur me azot shpërtheu, duke dëmtuar një pjesë të krahut.
Pas incidentit, avioni u detyrua të vinte përqark e të digjte karburant për një orë e gjysmë përpara se të prekte sërish tokën në Brisbane. Asnjëri prej 76 pasagjerëve në bord nuk pësoi lëndime.
Ata u dërguan më vonë drejt destinacionit të tyre me një avion tjetër. Qantasi njoftoi se ka nisur menjëherë një hetim mbi ngjarjen e pazakontë.