Mbrëmjen e djeshme në emisionin Opinion është trajtuar historia e disa personazheve të njohur të botës së krimit në vendin tonë, që kanë ushtruar ndikimin e tyre në disa qytete të vendit, duke ngjallur frikë dhe terror, dhe duke shkaktuar shumë viktima.
Gazetari Artan Hoxha ka folur për Aldo Baren që sipas tij tashmë e ka humbur pushtetin e viteve të shkuara, dhe tregon si u bë e mundur kapja e tij, me ardhjen e PD në pushtet. Hoxha tregon se ndaj Bares ka pasur një presion të jashtëzakonshëm, deri në kapjen e tij.
Sipas gazetarit, Aldo Bare është detyruar që të futet në rrugën e krimit për shkak të vrasjes së vëllait të tij.
“Me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike, ndaj Aldo Bares ka pasur një kontroll të jashtëzakonshëm, tokë e djegur. Nuk i lanë vend pa kontrolluar, u izolua Lushnja, mbylleshin lokalet që në orën 06:00 të pasdites, u infiltruan njerëz, derisa u gjet vendndodhja, shërbimet ushtarake italiane e lokalizuan, e sollën lidhur këmbë e duar, ai me dorën e vetë nuk ka bërë asgjë.
Ai ka shpëtuar disa herë, përdorte pasaportë maqedonase, kishte marrë vizë si anëtar i lidhjes së shkrimtarëve. Aldo Bare në pjesën e intelektit ngeli në atë lloj llumi. Atij iu vra vëllai, kjo e ka detyruar që të futet në atë lloj bote.
Aldo Baren e kanë izoluar në burg, izolim total total, e çuan deri në çmendje, nuk e lejonin që të takonte asnjë familjar. Aq sa kur është arratisur Admir Tafili në burg, ia kanë lënë derën e sektorit hapur, dhe nuk ka tentuar asnjëherë që të arratiset nga burgu. Po të shohësh ngjarjet në Lushnje janë duke u goditur të gjithë njerëzit e tij. Nuk ka as 1 milionë euro për të dalë nga burgu, që ti shpëtojë burgimit të përjetshëm”, u shpreh Hoxha.
Alfred Shkurti, ish-speciali i forcave RENEA, ose i njohur ndryshe si Aldo Bare, hyri në botën e krimit në vitin 1997, pasi atij i vrau vëllanë banda e Artur Dajës, gjatë një përleshje me armë zjarri.
(E.K/Faxweb.al)