Qeveria e Japonisë është gati të deklarojë gjendjen e jashtëzakonshme në Tokio, çka do të thotë që Lojërat Olimpike që nisin pas dy javësh (23 korrik) do të zhvillohen në kushte e masa të rrepta anti-Covid.
Vendimi pritet të merret sot nga kryeministri japonez Yoshihide Suga dhe pritet të ketë një efekt të madh të Olimpiada, pasi ajo mund të zhvillohet pa spektatorë.
24 orët e fundit, në Tokio, janë raportuar 920 raste të reja me koronavirus, 200 më shumë krahasuar me një ditë më parë, duke shtuar numrin e të infektuarve. Ky numër po i afrohet rekordit me 1010 raste raportuar më 13 maj të këtij viti.
Edhe pse është vendosur që Olimpiada të zhvillohet më një numër të reduktuar fansash, me shumë gjasa, me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme, garat do të zhvillohen pa tifozë.