Koordinatorja e Diasporës në PD, Jozefina Topalli duke folur në takimin madhështor në Milano, u shpreh se, shqiptarët e diasporës do të bëjnë rotacionin në Shqipëri dhe do ta ndryshojnë tërësisht të ardhmen e vendit.
‘Sot ne jemi fizikisht të gjithë bashkë këtu në Milano, por të gjithë bashkë me zemra shqiptare ne jemi në Shqipëri, tek vendlindja juaj, të cilën ju nuk e keni lënë asnjëherë pas.
Gjatë kësaj periudhe, kam dëgjuar rrëfimet në përgjithësi i mbani brenda shpirtit tuaj. Në Bari dëgjova një djalë i cili kishte krijuar një familje të bukur e më tha; kam ikur kur isha 16 vjeç dhe e kujtoj atë ditë, kujtoj shikimin e nënës e cila më përqafojë dhe dukej se nuk do më linte të ikja, e më pas dorën e babës mbi supe. Unë nuk e dija ku po ikja dhe sa herë rrëzohesha, apo isha gati për tu dorëzuar tek ai vend ku nuk e njihja, mendoja vetëm shikimin dhe bekimin e nanës. Sot ja kam dalë, kam një familje të bukur, dy fëmijë të mrekullueshëm.
Si historia e tij, ka histori të pafundme. Disa prej jush kanë ikur herët shumë me barka nga Durrësi, Vlora e Shëngjini. Unë besoj se diaspora kësaj here do të bëjë rotacionin në Shqipëri dhe besoj se shqiptarët jashtë Shqipërisë do të ndryshojnë tërësisht të ardhmen tonë, për të pasur një Shqipëri më të mirë, një Shqipëri më të drejtë e për të qenë krenar për vendlindjen tuaj’, tha ndër të tjera, Jozefina Topalli.