Pas deklaratave të presidentit të SHBA-së Donald Trump, për aplikimin e “waterboarding” si mënyrë torture ndaj militantëve të ISIS-it, vjen deklarata zyrtare e NATO-s.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e kundërshton kategorikisht mundësinë e aplikimit të këtyre lloj torturave, të cilat dikur përdoreshin në burgun famëkeq të Guantanamos
Gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin e Malit të Zi, Dusko Markoviç, në Bruksel, Stoltenberg tha se NATO vepron sipas ligjeve ndërkombëtare dhe do të vazhdojë të veprojë si e tillë.
“Të gjitha operacionet e NATO-s zhvillohen në kuadër të ligjeve ndërkombëtare. Kjo gjë ka vazhduar prej vitesh në këtë mënyrë. Korniza e ligjeve ndërkombëtare është një politikë e vetë NATO-s dhe do të vazhdojë të qëndrojë e tillë.”, u shpreht Soltenberg.
“Waterboarding” është një metodë torture që ngjall ndjenjën e mbytjes tek personi që torturohet, e cila sipas Trump mund të ketë sukses nëse përdoret tek militantët e ISIS-it. (D.D/Shuplaka)