Ai është padyshim një nga lojtarët më të dashur italianë, po tashmë dhe më të vjetër. Francesco Totti ka refuzuar të konfirmojë tërheqjen e tij nga futbolli në fund të sezonit. “Ndeshja ime e fundit më 28 maj? Nuk e di…”
Kapiteni i Roma-s deklaroi këtë gjë në një eveniment të organizuar nga FISDIR, federata italiane e sporteve olimpike për persona me aftësi të kufizuara. Deklarata e tij ishte e drejtpërdrejtë dhe tepër serioze, duke vënë në dyshim të madh pensionin e tij.
Komentet e evenimentit janë në kontradiktë me deklaratat e mëparshme të drejtorit sportiv të ri të Ujqërve Monchi dhe presidentit James Pallotta pasi të dy kanë insistuar se Totti do t’i japë fund futbollit të luajtur pas ndeshjes së 38-të të sezonit aktual të Serie A.
Gjithsesi, në një eveniment që nuk ka të bëjë me Roma-n, duhet thënë se 40 vjeçari thjesht nuk kërkon të prononcohet rreth kësaj çështje. (E.K/SHUPLAKA)