Shuma e sekuestruar prej 3.4 milionë euro në portin e Durrësit ka nxitur debate sot gjatë seancës plenare në Kuvend.
Fatmir Xhafaj, ministër i Brendshëm gjatë fjalës së tij, duke iu përgjigjur akuzave të Bashës, e paralajmëroi atë të “bëjë kujdes”.
“Lulzim bëj kujdes kur aludon shërbime inteligjente partnere, për informacione të dhëna gjoja prej tyre, në trillet e sajuara prej teje, ose përndryshe gjej guximin të thuash emër e mbiemër! Bëj kujdes se jo vetëm bëhesh qesharak mes tyre, por edhe se nuk dihet se në çfarë dërrase tjetër të kalbur je duke shkelur”, tha Xhafaj nga foltorja e parlamentit.
“S’kam ndërmend t’i friksohem as atyre që po dridhen prej Reformës në Drejtësi, e akoma më pak bandave të krimit të organizuar që i përdorin si marioneta. Por çdo gjë në kohën e vet. Unë jam dhe mbetem Ministër i Brendshëm i Qeverisë dhe kam përgjegjësinë të vazhdoj të bëjë detyrën, të bëjë detyrën në shërbim të qytetarëve dhe në zbatim të ligjit. E vërteta vonon, por nuk vdes”, shtoi ministri.
(M.Q/Faxweb)