Një ditë më parë dy këshilltarë të LSI-së votuan pro rritjes së çmimit të ujit në Tiranë, gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak.
Mirëpo ky veprim u konsiderua si një vendim individual nga Lëvizja Socialiste për Integrim, pasi ky qëndrim i tyre ishte e kundërta e qëndrimit zyrtar të kësaj force politike lidhur me çështjen. Bëhet fjalë për Agim Krajën dhe Genta Mezinin.
Një ditë më pas, LSI i përjashtoi këta dy këshilltarët nga Këshilli Bashkiak me arsyetimin se ata kishin shitur votën e tyre.
Të dy këta kanë reaguar pas vendimit të LSI-së për t’i përjashtuar nga Këshilli dhe janë shprehur mjaft ashpër lidhur me këtë. Madje Mezini ka deklaruar hapur se do të bashkohet me PS-në.
AGIM KRAJA:
Agim Kraja, biznesmen me origjinë nga Hasi, u bë këshilltar i bashkisë së Tiranës me monarkistët e mbretit, si këshilltar i Legalitetit dhe iu bashkua LSI-së, me ndërmjetësimin e kryetarit të këshillit bashkiak, socialistit Aldrin Dalipi.
Si këshilltar i LSI-së përfitoi benefitet e pushtetit, kryesisht tendera rrugësh. Natyrisht bashkia shprehet se i ka fituar konform ligjit. Në zgjedhjet e vitit 2015 ishte i gjashti në listën e LSI-së dhe u rizgjodh këshilltar në Bashkinë e Tiranës.
Para zgjedhjeve të 25 qershorit u ftoh me LSI-në, sepse donte të kandidonte për deputet, por kur drejtuesit e LSI e ftuan të kandidonte në Kukës dhe ai nuk pranoi.
Ndërkohë që emri i tij u shfaq si njeri nga financuesit e fushatës së LSI-së, financim që është refuzuar nga drejtuesit e LSI-së dhe paratë i janë kthyer mbrapsht, sepse financimi ishte në kundërshtim me ligjin. Kjo shënoi edhe ndarjen e tij nga LSI pasi sjellja e tij u konsiderua një provokacion. Në këto kushte ai u rithirr nga suportuesi e tij Aldrin Dalipi. Nuk dihet nëse do të marrë tenderime në bashki, por si media do ta survejojmë se çfarë tenderash do të fitojë pas ditës së djeshme ku votoi për PS-në.
Burimet nga bashkia tregojnë se menjëherë pas mbledhjes, për gati dy orë, bashkë me Dalipin, kanë qenë në zyrën e kryetarit të bashkisë, ku u përgatit dhe u shpërnda deklarata e tij për shtyp.
GENTA MEZINI
Genta Dedej apo Mezini, është veprimtare prej kohësh e LSI-së, që prej themelimit të LSI. Bashkë me vëllanë e saj janë pjesë e strukturave të LSI-së së Tiranës dhe me kontribute të njohura. Mjeke në profesion, intelektuale me biznes privat të konsoliduar. Me një pasion natyral për të bërë karrierë, ajo njihet si një intelektuale që synon lart.
Shoqja e saj, Klotilda Ferati, ish-kryetarja e grupit të këshilltarëve të PS në këshillin bashkiak të Tiranës, e zgjedhur deputete e PS, thuhet se e ka telefonuar dhe i ka thënë se nëse nuk vjen në mbledhje do të humbasësh të drejtën të zgjidhesh këshilltare.
Zonja Ferati, pas mbledhjes, e ka dërguar në zyrën e kryetarit të Bashkisë, pasi ia kishte prezantuar më parë si pasionante për të ecur përpara në jetë dhe që do t’i bashkohet PS .
Ndërkohë që Agim Kraja e Aldrin Dalipi dilnin nga zyra e kryetarit të bashkisë, hynte Genta Mezini dhe Klotilda Ferati.
Këto burime janë përgënjështruar nga zyra e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndonëse fakti që votuan hapur pro propozimit të tij dhe kundër vendimit politik të partisë nga vinin, të bën të dyshosh. (D.D/Shuplaka)