Gjykata e Posaçme ka lënë në arrest me burg tre të arrestuarit për trafik armësh drejt Britanisë së Madhe. Tre të arrestuarit janë Adulla Hoxhaj, Bojken Turtulli, Rifat Avdiaj, ndërsa 3 të tjerë janë shpallur në kërkim dhe sipas SPAK fshihen në Angli.
Prokuroria e Posaçme finalizoi dje operacionin “Inkorporimi” kundër trafikut të armëve mes vendit tonë dhe Britanisë. Gjatë kontrolleve u gjetën dhe sekuestruan 24 armë zjarri pistoletë, 1 automatik kallashnikov, 49 krehëra (karikator) të llojeve të ndryshme, 2 thika, 409 fishekë të kalibrit të ndryshëm, 1 palë pranga, 10 pajisje speciale optike dhe lazeri, 4 automjete, 1 motor dhe 1 palë veshje ushtarake.
Armët dhe veshjet e sekuestruara janë kapur nga policia në shtëpinë e Adulla Hoxhaj, që dyshohet se ishte koka e këtij grupi kriminal. Gjithashtu u bënë kërkime në 6 banesa në Tropojë e në Tiranë.