Një ditë më parë, blutë e Elbasanit finalizuan operacionin “Organozatori”. Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan 3 persona/ Dhimitër Peqini, E.C dhe E.L. Ata akuzohen për falsifikim dokumentash dhe trafik armësh.
Gjatë opercionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, armë, fishëke, granata dhe 20 mjete identifikimi si pasaporta, ID dhe patenta, të shteteve të ndryshme. Mes tyre kishte edhe mjete identifikimi shqiptare. Burime bëjnë me dije se nga hetimet ka rezultuar se grupi kishte prodhuar disa mjete biometrike me identitete njerezish të sistemit të drejtësisë.
Dhimitër Peqini dhe dy bashkëpunëtorët e tij janë hetuar edhe më parë për falsifikim dokumentash dhe trafik
armësh.
Hetimi nisi katër muaj më parë. Dokumentet prodhoheshin në një banesë në qytetin e Elbasanit, të shndërruar në një laborator të mirëfilltë. Nga të dhënat, rezulton që dokumentet e sekuestruara të jenë shumë afër me realet, pasi ka shumë element identikë. Çka ngre dyshimet që kemi të bëjmë edhe me një bashkëpunim me punonjës të Gjendjes Civile dhe prodhimit të dokumentave identifikuese.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe ata të Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Elbasanit, pas një hetimi 4-mujor, me metoda speciale, finalizuan operacionin policor të koduar “Organizatori”.
Si rezultat i operacionit u kap dhe u vu në pranga shtetasi Dh. P., 59 vjeç, banues në Elbasan, i cili organizonte trafikimin e armëve drejt RMV-së dhe falsifikimin e dokumenteve.
Gjithashtu, gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit E. C., 52 vjeç, banues në Gramsh, dhe A. L., 47 vjeç, banues në Elbasan.
Nga hetimet rezulton se 52-vjeçari, bashkëpunonte me 59-vjeçarin për trafikimin e armëve, ndërsa 47-vjeçari bashkëpunonte me 59-vjeçarin, për falsifikimin e dokumenteve.
Gjatë kontrollit në banesën e 47-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 20 dokumente të dyshuara të falsifikuara (shqiptare, bullgare dhe maqedonase) dhe pajisje që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale.
Gjatë operacionit “Organizatori”, në fshatin, Çekin, Gramsh, shërbimet e Policisë iu bënë shenjë ndalimi automjeteve që drejtoheshin nga shtetasit Dh. P. dhe E. C. Nga kontrollet, u gjetën të fshehura në bagazhe, 3 armë zjarri kallashnikovë, 3320 fishekë luftarak dhe 1 granatë, që nga hetimet rezulton se do të trafikoheshin drejt Maqedonisë së Veriut.
Më tej, gjatë hetimeve rezultoi se shtetasi Dh. P., në bashkëpunim me shtetasin A. L., falsifikonin në banesën e këtij të fundit, dokumente të ndryshme (pasaporta, karta identiteti, leje qëndrimi dhe dëshmi aftësish), shqiptare dhe të huaja.
Vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë të përfshirë në këto veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.