Kryetari i Bashkisë së Kavajës Elvis Rroshi, dyshohet të jetë hetuar nga Agjencia Amerikane e Antidrogës (DEA) në vitin 2015 për implikim në trafik droge dhe pastrim parash.
Sipas rrjetit të gazetarëve investigativë të Ballkanit (BIRN), Prokuroria ka dërguar një letër-porosi në SHBA dhe po pret një përgjigje për të zbuluar nëse është me vend apo jo të nisin hetime të reja për kryebashkiakun.
Drejtoresha e kabinetit të Prokurorit të Përgjithshëm, Fjorida Ballauri, deklaroi sot se në vitin 2015, DEA ka informuar autoritetet zvicerane se po hetonin një shtetas të quajtur Enver Rroshi për trafik droge dhe pastrim parash.
Mendohet se Enver, është një nga pesë emrat që kryebashkiaku Roshi ka përdorur gjatë lëvizjeve të tij në Europë.
Prokuroria ka nisur hetimet mbi të shkuarën e Rroshit në janar të këtij viti, kjo në kuadër të ligjit të dekriminalizimit.
Gjatë hetimeve, organi i akuzës arriti në përfundimin se kryebashkiaku kishte përdorur pesë emra të ndryshëm në disa vende të Europës. Dyshohet se një nga emrat e përdorur është edhe Enver Roshi, i cili është hetuar nga DEA në vitin 2015.
Gjatë paradites së sotme, prokuroria kërkoi ndërprerjen e mandatit për Rroshin por dhe për dy deputetë të tjerë, Shkëlqim Selamin dhe Dashamir Shehun.
Prokuroria e akuzon Rroshin se ka fshehur të dhënat e tij kriminale, pasi ai është dënuar në 1995-ën në Itali dhe është dëbuar nga Zvicra në 1993-in dhe në 1997-ën, për çështje droge.
Sipas Prokurorisë, ai ka fshehur gjithashtu faktin se ka përdorur pesë emra të ndryshëm në lëvizjet e tij në Europë. (D.D/Shuplaka)