Pas një hetimi më shumë se 1 vjeçar policia italiane ka shkatërruar një rrjet të madh të trafikut të drogave që niste në Shqipëri dhe përfundonte në Itali. Bëhet fjalë për trafikun e kokainës dhe hashashit.
Sipas policisë italiane, në operacionin e mëngjesit të sotëm, ka pasur arrestime në Romë dhe qytete të tjera, por edhe në Shqipëri. Deri më tani nga policia jonë nuk ka informacione. Gjatë aksionit policor janë ndaluar 31 persona, shumica shqiptarë, ndërsa në pranga janë vënë 12 prej tyre.
Në operacionin e ditës së sotme, policia ka sekuestruar 4 kilogramë kokainë të pastër në 92 %. Kokainën grupi mësohet se e merrte nga Spanja dhe Holanda. Ndërsa hashashin e merrte nga Shqipëria.
Transportin e lëndëve narkotike, grupi e realizonte me anë të të rinjve të cilët nuk kishin të kaluar kriminale. Ata përdoreshin vetëm njëherë dhe më pas nuk kontaktoheshin më. Më pas droga hidhej në tregun e Romës, Frosinone, Viterbo dhe në provincën e Foggias.
Nga hetimet policia tha se, grupit i është kapur 4.6 kilogramë kokainë dhe 1050 kilogramë hashash. Policia ka sekuestruar edhe shumën prej 36.860 eurosh kesh, para të ardhura nga shitja e drogës.
https://ilmattino.it/primopiano/cronaca/droga_tra_italia_spagna_e_albania_scoperta_banda_internazionale-3550240.html