“Nëse zjarrfikësja do të vinte në kohë, mund të ishte shmangur tragjedia”. Kjo është akuza e fqinjëve të familjes Shehu, që humbi tragjikisht dy ditë më parë mes flakëve gruan 35-vjeçare, Elda Shehu, dhe foshnjën e saj 6-muajshe.
Bashkëshorti i saj, Genci Shehu, dje ishte i tronditur nga ngjarja e rëndë dhe i pafuqishëm për të rrëfyer atë që ndodhi.
Ai u shpreh vetëm me fjalët se do të shprehej më vonë për këtë tragjedi në familjen e tij, çka linte të kuptonte se do të kërkonte zbardhjen e ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të përgjegjësve, përfshirë këtu vonesën e zjarrfikëses.
“Do të flas pasi të vërtetoj gjithçka për atë që më është thënë që zjarrfikësja ka ardhur me vonesë”, u shpreh mes lotëve për gazetën Panorama bashkëshorti i viktimës.
Çifti Shehu banonte me qira në apartamentin që u shkrumbua nga flakët në qytetin e Tepelenës, në lagjen “15 Shtatori”, ndërkohë që vetë e ndjera ishte shtëpiake e papunë dhe rriste fëmijën e saj 6-muajsh. Ai që mbante familjen ishte i shoqi Genci, i cili ka marrë një lokal me qira në Tepelenë.
Në momentin e tragjedisë, bashkëshorti ka qenë në lokal dhe është lajmëruar nga komshinjtë. Ndonëse ka hyrë mes flakëve, ai nuk arriti të shpëtonte bashkëshorten dhe fëmijën e tij. (A.R/SHUPLAKA)
Discussion about this post