Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me tragjedinë në fshatin Mjedë, Shkodër, ku një 3-vjeçar humbi jetën, ndërsa motra e tij 7 vjeç, ndodhet në gjendje të rëndë.
Sipas Spitalit Rajonal të Shkodrës, mjekët kanë ndjekur të gjitha protokollet mjekësore, duke i kërkuar familjarëve që fëmija të qëndronte në observacion për mbikëqyrje të mëtejshme.
Megjithatë, sipas tyre prindërit kanë firmosur dhe kanë zgjedhur ta marrin në shtëpi.
Një ditë më pas, gjendja e 3-vjeçarit është përkeqësuar ndjeshëm, dhe familjarët e kanë sjellë sërish në spital në gjendje shumë të rëndë. Ai është dërguar menjëherë në reanimacion, por fatkeqësisht nuk ka mundur të mbijetojë.
Ndërkohë, motrës së tij, që po përjetonte simptoma të ngjashme, mjekët i kanë ofruar ndihmë të menjëhershme dhe e kanë transportuar drejt Tiranës për trajtim më të specializuar. Gjendja e saj mbetet kritike, ndërsa mjekët po bëjnë të pamundurën për ta shpëtuar.
Sakaq, mësohet se nëna e fëmijëve, e cila është shtatzënë ndodhet në gjendje traumatike pas ngjarjes së rëndë.