Ambasada Italiane në Tiranë ka reaguar pas shembjes së urës në Genova, ku deri më tani kanë humbur jetën 39 persona mes të cilëve edhe dy shqiptarët Marjus Djerri dhe Admir Bokrina.
Përmes një postimi në Facebook, ambasada italiane në Tiranë falënderon autoritetet dhe qytetarët shqiptarë për mesazhet e solidaritetit dhe thotë se ato dëshmojnë dashamirësinë dhe afrimitetin mes dy popujve tanë.
“Ambasada italiane falenderon autoritetet dhe qytetarët shqiptarë për mesazhet e panumërta të solidaritetit dhe ngushëllimet për tragjedinë e ndodhur në Genova, që dëshmojnë dashamirësinë dhe afrimitetin mes dy popujve tanë.
Teksa i bashkohemi dhimbjes së familjeve të viktimave, u shprehim ngushëllimet të afërmve të dy qytetarëve shqiptarë që kanë humbur jetën në këtë ngjarje të trishtueshme dhe të gjithë popullit shqiptar”- thuhet në reagimin e ambasadës italiane në Tiranë.