Ditët e fundit një nga debatet që po qarkullon në rrjetet sociale dhe jo vetëm është propozimi i Agron Tufës për të hequr nga qarkullimi filmat e periudhës komuniste. Në fakt edhe dje në emisionin ‘’Opinion’’ kjo ka qenë tema e debatit.
Nga ana tjetër një tjetër shqetësim ka ngritur gazetari Denis Dyrnjaja, i cili thotë se është befasuese që njerëzit shqetësohen për filmat dhe jo për cilësinë e ajrit, ujit apo ushqimeve. Ai vazhdon më tej duke thënë se kjo është tragjike dhe komike njëkohësisht.
REAGIMI I PLOTË I GAZETARIT:
Ziejnë rrjetet sociale nëse do hiqen nga qarkullimi apo jo filmat shqiptarë të prodhuar në kohën diktaturës. Një preokupim masiv i njerëzve për këtë çështje. Është surprizuese, për të mos thënë befasuese kjo gjë, sepse nuk sheh të njëjtin preokupim, shqetësim, apo impenjim kur vjen fjala p.sh për cilësinë e ushqimit, ujit, ajrit apo ilaçeve që konsumojnë.
Pra njerëzit vazhdojnë të shqetësohen për kinkaleri dhe jo për brendi. Sikur të jetonte në këtë kohë Magbethi do të gjente material pa fund për t’i shtuar veprat e tij tragjike me realitete shqiptare, ku njerëzit e shohin shëndetin dhe jetën e tyre më të pa vlerë edhe se një film.
Për të qeshur deri në qarje ky realitet tragjik dhe komik njëherësh! Politika e di ndaj nuk na merr kurrë seriozisht, sepse ajo e ka mësuar se ky popull ka nevojë për fasadë dhe me të ngopet dhe kënaqet. E di se këta njerëz kanë më të shtrenjtë makinën se veten, filmin se jetën, dasmën se kuletën, televizorin se shëndetin. Ndaj gjithmonë slogani mbetet i njëjtë prej më shumë se 25 vjetësh “RIFILLOJMË SË SHPEJTI”! (E.K/SHUPLAKA)