Një ngjarje e rëndë është shënuar ditën e mërkurë, teksa temperaturat e larta kanë filluar të shkaktojnë fatkeqësi edhe në Shqipëri, sipas njoftimit te policisë pak para mesnate.
Viktima e parë e të nxehtit afrikan dyshohet të jetë një 74-vjeçar, i cili kishte hyrë në një rezervuar për tu freskuar, pasi nuk kishte mundur t’i duronte temperaturat e tejskajshme që kanë kapluar vendin.
Shërbimet e rendit njoftuan se shtetasi me iniciale M. T. ishte konstatuar i mbytur në fshatin Palaq të Prezës, Tiranë. Ekzaminimet paraprake nuk kanë konstatuar shenja dhune, kurse nga deklarimet e familjarëve viktima mund të kishte hyrë me dëshirën e tij në ujë, ku për pasojë ka humbur dhe jetën.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 30.06.2021, është njoftuar salla operative se në fshatin Palaq, Preze, është konstatuar i mbytur në një rezervuar shtetasi M. T., 74 vjeç.
Nga veprimet e para hetimore nuk janë konstatuar shenja dhune dhe nga deklarimet e familjarëve dyshohet se ky shtetas ka hyrë për tu freskuar në rezervuar dhe për pasojë ka humbur jetën.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.