Një krim në familje është zbuluar së fundmi në Pogradec, ku dy trupa të pajetë janë gjetur brenda një kasolle në fshatin Velçan të Pogradecit.
Ngjarja raportohet të ketë ndodhur pak minuta pas mesnate pas një konflikti mes dy bashkëshortëve të rinj, prindër të dy fëmijëve, të cilët pasi kanë debatuar brenda banesës janë zhvendosur në kasolle, ku debati ka degraduar në dhunë.
Mësohet se shtetësja Fatbardha Tora. 23 vjeçe ka goditur me dru pas koke bashkëshortin Erzen Tora. 26 vjeç, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme dhe më pas ka pirë helm e për pasojë ka gjetur vdekjen.
Grupi hetimor ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimin për zbardhjen e ngjarjes së rëndë.
Detaje të Policisë të Pogradecit:
Informacion paraprak. Më datë 18.02.2017, rreth orës 00:10, jemi njoftuar se në fshatin Velçan në Pogradec, në një kasolle pranë banesës së tyre, janë gjetur të pajetë trupat e dy shtetasve E.T, 26 vjeç dhe F.T, 23 vjeçe, (bashkëshortë).
Nga hetimet paraprake, dyshohet se këta shtetas gjatë natës janë konfliktuar dhe goditur fizikisht me njëri tjetrin. Më pas konflikti ka vijuar edhe jashtë banesës, konkretisht në një kasolle (pronë e tyre) ku shtetasja F.T dyshohet të ketë goditur në kokë, me mjet të fortë (dru) bashkëshortin e saj, i cili për pasojë ka gjetur vdekjen.
Pas këtij veprimi, shtetasja F.T dyshohet të ketë konsumuar helm dhe për pasojë ka gjetur vdekjen edhe kjo e fundit. Konflikti mendohet të ketë ndodhur, për motive të dobëta, midis dy bashkëshortëve.
Trupat e tyre janë transportuar në morgun e Spitalit të Pogradecit, ku pritet të kryhet autopsia. Nga ana e Policisë, po kryhen gjithë veprimet e nevojshme proceduriale dhe po punohet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
(XH.A/SHUPLAKA)