Lajme të mira për Milanin dhe sidomos trajnerin Marco Giampaolo. Pas barazimit me Udinesen dhe fitoren me Brescian, kuqezinjtë do të kthehen të luajnë në kampionat ndaj Verona, në “Bentegodi”, pra transfertë.
Por, trajneri mund të ketë në dispozicion dy futbollistë të rëndësishëm, si blerja e verës, Theo Hernandez, por edhe mesfushori me përvojë, Lucas Biglia. Nëse për argjentinasin problemi është zgjidhur me aktivizimin e Bennacer, që gjatë kësaj kohe do të ketë mundësi të stërvitet me vazhdimësi dhe të kapë formën e duhur (dy javë ndërprerje për shkak kombëtaresh), të gjithë tifozët duan të shohin në fushë Theo Hernandez.
Francezi u pagua 20 mln euro dhe në miqësoren ndaj Bayern, në verë, përpara se të dëmtohej, tregoi potencialin e tij.
Francezi pritet të bashkohet me grupin ditën e enjte ose të premte dhe në Verona mund të jetë të paktën në stol.