Sipas raportimeve të fundit nga Sportmediaset, emri i preferuar i Tares është Vincenzo Italiano, trajneri që këtë sezon shkëlqeu në stolin e Bolognas. Italiano ka bërë hapa të mëdhenj në karrierë duke ndërtuar ekipe me identitet të qartë loje; nga Spezia, te Fiorentina dhe së fundmi Bologna, me të cilët fitoi një trofe historik, të parin për klubin pas 51 vitesh.
Nëse tratativa dështon, Milani ka identifikuar edhe një alternativë tjetër, Maurizio Sarri. Ish-trajneri i Napolit dhe Lazios është kontaktuar më herët nga kuqezinjtë, përpara se në skenë të dilte emri i Sergio Conceiçaos. Negociatat me Sarrin nuk prodhuan një marrëveshje në atë kohë, por ai mbetet një opsion i hapur nëse pista “Italiano” nuk konkretizohet.
Pritet që në ditët në vijim të ketë zhvillime të rëndësishme, ndërsa Milani po punon për të ndërtuar një projekt të ri ambicioz, nën drejtimin e Igli Tares.