Presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka komentuar sot atë që ndodhi në Fushë-Krujë, në përfundimin e sfidës mes Kastriotit dhe Tiranës. Sipas kreut të FSHF-së, trajneri i Tiranës Mema gaboi që u fut në fushë dhe se forcat e rendit bërën detyrën.
“Kamza dhe ngjarja e djeshme në Fushë-Krujë ishin 2 tablo të ndryshme. Me aq sa pash dhe sa kanë raportuar zyrtarët e ndeshjes. Në Kamzë thamë pse policia private, nuk ndërhyri për të ndaluar zyrtarët apo tifozët që shkuan drejt arbitrit, ndërsa në ndeshjen e djeshme në Fushë-Krujë thamë se pse policia ndaloi trajnerin e Tiranës. Me gjithë respektin për Memën, që është një personazh shumë i rëndësishëm. Gaboi që hyri në fushë.
Unë jam i sigurt që nuk do shkonte të godiste arbitrin. Por gjithsesi rregullorja të ndalon, kur je me karton të kuq. Këtë bënë forcat e rendit. Ne njëherë i themi pse hyni, njëherë pse nuk hyni.
Ai stadium nuk i ofron të gjitha kushtet. Forcat e rendit penguan trajnerin e Tiranës dhe i thanë futbollistëve të futeshin në dhomat e zhveshjes për të parandaluar ndonjë skenë të përafërt me Kamzën. Nuk kishte dhunë në fushë. Thjesht ndërhyrje për ta eliminuar ata që quhet dhunë. Kam pasur një takim me drejtorin e policisë. Është e rëndësishme që gjërat të ndahen mirë.
Klubet janë përgjegjës për organizimin e ndeshjes, policia për rendin dhe sigurinë në ndeshje. Kemi rënë dakord që duhet të bashkërendojmë. Kemi propozuar akt marrëveshje. Jemi në proces, për të pasur sa më pak keqkuptime”, u shpreh Duka.