Prindërit fëmijëve të shkollës 9-vjeçare “Gustav Mayer” kanë dalë sërish në protestë për të kundërshtuar transferimin e procesit mësimor për fëmijët e tyre në dy shkolla të tjera.
Shkak për këtë transferim është bërë rikonstruksioni i palestrës së shkollës, por sipas prindërve ky rikonstruktim mund të shtyhej përgjatë sezonit veror.
Ndërkaq Bashkia ka dhënë një sqarim për mediat ku bën të ditur se ky rikonstruksion, i cili do të zgjasë për një periudhë kohore deri në 6 muaj, është i domosdoshëm për shkak të nevojës për ndërhyrje në sistemin qendror të ngrohjes, nyjeve sanitare dhe kushteve të palestrës.
Sipas prindërve shkolla fillore është mbyllur në mes të shkurtit e nxënësit shpërndahen nëpër shkolla të tjera ku natyrisht mësimi bëhet sipas tyre me 2 e 3 turne.
Ata thonë se janë njoftuar vetëm dy ditë përpapra se të fillonin punën për transferimin e fëmijëve, me anë të një letre që u është dhënë fëmijëve.
Ata shprehen se kjo shkollë është ndër shkollat më bashkëkohore në gjithë Shqipërinë ndërkohë që theksuan se duke i dërguar fëmijët e tyre në shkolla me ngarkesë dhe me 2-3 turne këta të fundit rrezikojnë që të marrin infeksione.
Sipas tyre në qoftë se ka nevojë për ndonjë ndërhyrje mund të behen gjatë pushimeve të verës.
Por megjithëse prindërve u është thënë që punimet do të zgjasin vetëm dy muaj, në sqarimin për mediat që bën bashkia lidhur me protestën, thuhet se rikonstruksioni do të zgjasë deri në 6 muaj në mënyrë që shkolla e rikonstruktuar të çelë dyert për nxënësit e saj në shtator 2019.
Sipas prindërve kjo shkollë është inauguruar me shumë bujë vetëm dy vjet më parë.
Kujtojmë se Fax News intervistoi dhe drejtoreshën e shkollës “Gustav Mayer”, Klotilda Jaupaj në lidhje me këtë çështje e cila u shpreh se po merren masat për lirimin e ambienteve të shkollës dhe sistemimin e nxënësve në shkollat e tjera.
Sipas saj ndërhyrja do të bëhet pasi ky është dhe vlerësimi i ekspertëve për gjendjen e godinës.
“Unë jam autoriteti që zbatoj atë çfarë më thonë institucionet duke mbajtur parasysh interesat e shkollës. Në këtë moment shkresa që ka ardhur nga DAR është që të kryhen rikonstruksione. Është vlerësuar nga ekspertë për t’u kryer rikonstruksione, unë nuk jam eksperte. Deri në 31 dhjetor është punuar në sistemin e ngrohjes. Këtë nuk e vlerësoj unë, unë delegoj problematikën.
Me këto prindër është komunikuar në mënyrë të vazhdueshme. Kryetarët e këshillit të prindërve janë vënë në dijeni se shkolla është në fazën e projektimit dhe pritet të hyjë në rikonstruksion. Shkolla është në rritje të vazhdueshme të numrit, pasi është populluar nga çifte të reja.”– shprehet drejtoresha Klotilda Jaupaj për Fax News.
https://www.facebook.com/faxweb.al/videos/606090719839080/
(F.GJ/FAXWEB.AL)